Shkurt.ch

Për 90 ditë ndërtojnë godinën 838 metërshe!

Firma kineze pati ndërtuar një hotel 30 katësh brenda 15 ditëve, ndërsa i qe dashur vetëm një javë për të ngritur një 15 katëshe!

Për 90 ditë do të ngrihet drejt qiellit ndërtesa më e lartë në botë. A është e mundur një gjë e tillë? Kinezët, në delirin e madhështisë që i ka kapur, thonë se po!

Ndërtesa 220 katëshe me lartësi 838 metra, sipas kompanisë kineze Broad Sustainable Building (BSB), do të jetë madje edhe e sigurt nga tërmetet dhe, veç kësaj do të kursejë edhe energjinë. Ajo do të jetë vetëm 10 metra më e lartë se ndërtesa aktualisht më e lartë në botë, ajo Burdsch Khalifa në Dubai. Por dubajasit kishin bërë plotë 6 vjet deri sa e kishin ndërtuar atë dhe këtu duhet parë dallimin.

Kompania BSB ka dhënë edhe më parë prova të efikasitetit. Në fillim të vitit, ajo pati ndërtuar një hotel 30 katësh brenda 15 ditëve, ndërsa në vitin 2010 asaj i qe dashur vetëm një javë për të ngritur një 15 katëshe!

Gjithashtu, ky projekt impresionues do të bëhet i mundur për faktin se ndërmarrja do të shfrytëzojë pjesë të gatshme, që i prodhon në fabrikën e saj. Ngritja e ndërtesës “Sky City” do të kushtojë 628 milionë dollarë, që është përgjysmë më pak se çmimi i godinës në Dubai.

Tash për tash “Sky City” nuk e ka marrë ende lejen e ndërtimit. Por në rast se ajo i jepet, ndërtimi do të fillonte në nëntor dhe pas vetëm tre muajsh gjithçka do të ishte gati, thonë ndërtimtarët.