Kosova

Pensionistët do të marrin 30 euro më shumë në Kosovë

Vjen sqarimi nga Qeveria e Kosovës për uljen e shtesave të pensioneve

Shumë reagime ngjalli vendimi i të mërkurës nga Qeveria e Kosovës, më të cilën shtesat që pensionistët i kishin marrë më herët u ulën për 20 euro, përcjell albinfo.ch.

Në një sqarim nga Qeveria e Kosovës, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se këto shtesa janë për një vit, për dallim nga qeveria e kaluar që shtesat në pagë për shkak të pandemisë në pakon pë rimëkëmbjee që ishte 30 euro i kishte dhënë vetëm për tre muaj.

Sipas kësaj, i bie që shtesat që do të marrin pensionistët sipas vendimit të djeshëm, do jetë 30 euro më shumë përfitim, për shkak se do të jetë për gjithë vitin 2021 dhe jo vetëm për tre muaj.

Vjen sqarimi nga Qeveria e Kosovës për uljen e shtesave të pensioneve:

“Me pakon e re, kemi shtuar 8.5 milionë euro, aty ku qeveria e kaluar kishte buxhetuar 0 euro shtesa. Pra, për muajt prill e tutje nuk ka pasur shtesa të planifikuara. Krejt çka do të merrnin pensionistët pa vendimin e djeshëm të qeverisë, do të ishte shuma prej 75 ose 90 eurove, ashtu siç është e planifikuar në buxhetin e vitit 2021, të miratur në Kuvend. Ministria e Finacave, Punës dhe Transfereve ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro – e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro – të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro”, ka thënë Murati në një sqarim për vendimin e marrë të mërkurën.

Ndërsa një gjë të tillë e ka sqaruar edhe zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, i cili ka thënë se shtesat e qeverisë së kaluar pensionistët fituan vetëm 90 euro për tre muaj, kurse të qeverisë aktuale janë 120 euro për gjithë vitin.

“Masa e ish-qeverisë ka qenë për 3 muaj (janar, shkurt, mars) nga 30 euro = 90 euro.

Masa e qeverisë aktuale është shtesa prej 10 eurosh për 12 muaj = 120 euro”, ka sqaruar shkurt ai.

Pra, pakoja e cila u doli në ndihmë qytetarëve në qeverinë e kaluar për pensionistët pati një shtesë prej 90 euro për tre muaj, ndërsa pakoja që u miratua të mërkurën nga qeveria aktuale e Kosovës për pensionistët do të ketë shtesë në pensione 120 euro deri në fund të vitit.