Tematike
Pensionet e kosovarëve bëhen pjesë e fushatës zgjedhore
Fati i Marrëveshjes mbi Sigurimet Shoqërore të pezulluar nga Zvicra ishte temë e debatit të mbajtur në mes politikanëve dhe sindikalistëve në Cyrih
Çfarë po ndodh me Marrëveshjen mbi Sigurimet Shoqërore që Zvicra në raport me Kosovën e pati anuluar në vitin 2010? Dhe çfarë mund të bëjnë për ringjalljen e saj kandidatët për parlamentarë nacionalë? Cilat janë premtimet e tyre në këtë drejtim në dritën e zgjedhjeve që mbahen më 18 tetor?
Katër deputetë nacionalë nga regjioni i Cyrihut bashkë me dy kandidatë të rinj parlamentarë (nga komuniteti shqiptar) si dhe një ekspert i sigurimeve shoqërore dhe një funksionare e lartë sindikale kanë ballafaquar të shtunën mbrëma argumentet e tyre mbi këtë çështje në debatin e organizuar nga grupi i aktivistëve shqiptarë të sindikatës Unia të Cyrihut, me bashkorganizator portalin dialogplus.
Përbërja e panelit me mbizotërim të sindikalistëve dhe të socialdemokratëve megjithatë pretendonte një gjithëpërfshirje të spektrit politik të Zvicrës. Aty, krahas dy deputetëve socialdemokratë (Barbara Güsi dhe Martin Naef) morën pjesë edhe një deputete e djathtë (Doris Fiala nga FDP-PLR) dhe një e Qendrës (Rosmarie Quadranti nga BDP). Pjesë e panelit ishte edhe deputeti i Parlamentit të Kosovës nga Lëvizja „Vetëvendosje“, Faton Topalli, i njohur si aktivist shumëvjeçar i komunitetit shqiptar të Zvicrës.
Në një hyrje të bërë në cilësinë e organizatorit, Osman Osmani, nënkryetar për migracion në Sindikatën Unia, ka folur në terma të përgjithshëm lidhur me historinë e ndërprerjes së Marrëveshjes mbi sigurimet shoqërore, ose siç njihet më mirë në variantin e saj popullor, ndërprerjen e pensioneve dhe ka bërë prezantimin e pjesëmarrësve. Kandidatja për deputete, Qëndresa Sadriu bashkë me Ariana Dragushën ka bërë moderimin e debatit.
Me një fjalë përshëndetjeje është paraqitur edhe ministri këshilltar në Konsullatën e Kosovës, Islam Spahiu.
Institucionet kosovare, neglizhente dhe me mungesë profesionalizmi
Ndërsa deputeti në Parlamentin e Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Faton Topalli ka sjellë në kujtesën e të pranishmëve dëmin që kjo ndërprerje u shkakton personave të prekur drejtpërdrejt po edhe marrëdhënieve, ndryshe të shkëlqyera, Zvicër-Kosovë. Duke qenë pjesë e përpjekjeve për sensibilizimin e institucioneve kosovare me këtë problematikë gjatë këtyre pesë viteve ai ka konstatuar një masë neglizhence te këto institucione, të përzier me mungesë vullneti dhe profesionalizmi për t`u rrekur me këtë problem. Topalli ka folur edhe për marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe Zvicrës, të shtrira në një periudhë mbi njëqindvjeçare. Ai simbolikisht i „fillon“ këto marrëdhënie me një histori dashurie: atë të poetit rilindas shqiptar, Andon Zako Çajupi i cili kishte jetuar dhe studiuar ne Zvicër ku dhe ishte martuar me një zvicerane. Në përmbyllje Faton Topalli shfaqi shpresën se ky raport zviceranë-shqiptarë të vazhdojë në frymën e dashurisë.
Arbër Bullakaj, kandidat për Parlamentin e Zvicrës në zgjedhjet e tetorit ka bërë një prezantim të tij si pjesëtar i gjeneratës së dytë, me rrënjë shqiptare nga Kosova dhe të rritur e të formuar në Zvicër. Ai, duke u ndërlidhur me problemin e pensioneve, që aktualisht sfidon familjet kosovare, ka thënë se e njeh nga përvoja personale problemin e jetës ndaras nga familja. Arbri me nënën dhe pjesën tjetër të familjes kanë jetuar në Kosovë deri sa babai jetonte dhe punonte në Zvicër. „Për fat te rasti im kjo ka zgjatur `vetëm` tetë vite“ ka thënë ai, duke theksuar se shumë familje të tjera kosovare kanë përjetuar edhe më keq.
Schiavi: Zvicra ka kërkesa të tepruara dhe jorealiste ndaj Kosovës
Funksionarja e lartë e sindikatës Unia, kryetare e grupit për migracion dhe pensionistë në këtë sindikatë Rita Schiavi ka folur me nota emocionale lidhur me dëmet që sjell ndërprerja e njëanshme e marrëveshjes së sigurimeve sociale. Ajo ka drejtuar theksin e saj kritik te institucionet zvicerane.
„Fillimisht ato, si kusht për rivendosjen e marrëveshjes kishin vënë krijimin e regjistrit civil nga pala kosovare. Kur regjistri civil, me asistencën e BE-së, u bë realitet në Kosovë, Zvicra tash i shtoi kërkesës së saj edhe kushte të tjera dhe të tjera që nuk janë realiste sidomos në raport me një shtet të ri si Kosova“, theksoi ajo. Schiavi prandaj apeloi që për hirë të pensionistëve dhe të çështjes që nuk pret – pasi që shumica e atyre janë në moshë të shtyrë dhe nuk u mbetet edhe shumë kohë të presin“, Zvicra duhet të bëjë një zgjidhje të përkohshme në këtë drejtim.
„Zgjidhja e përkohshme“ ka qenë emrues i përbashkët i angazhimeve të shumicës së panelistëve dhe pjesëmarrësve në debat.
Ruzhdi Ibrahimi, ekspert i sigurimeve sociale dhe nëpunës në Fondin e Sigurimeve të Unia-s në Bazel ka folur gjerësisht lidhur me mënyrën e funksionimit të sigurimeve sociale dhe është ndalur në praktikat që Zvicra ka ndjekur në marrëveshjet për këto sigurime në raport me vendet e dala nga Ish Jugosllavia. Me të gjitha këto shtete marrëveshjet janë përtëritur (por ende nuk janë ratifikuar nga parlamentet përkatëse) ndërsa, sipas tij, vetëm me Kosovën ajo është ndërprerë në mënyrë të njëanshme nga Zvicra.
Ibrahimi ka theksuar se nuk ekziston baza për një ndërprerje të tillë dhe se ajo është bërë në mënyrë arbitrare. Por ndërkohë ai nuk i ka amnistuar nga përgjegjësia as autoritetet e Kosovës, të cilat nuk kanë qenë dhe vazhdojnë të mos jenë në nivel të detyrës për të realizuar një marëveshje të re ose për të gjetur një zgjidhje të ndërmjetme.
Të mos dërgohet mesazh i gabuar në diasporën kosovare
Doris Fiala, deputete e njohur e FDP-PLR në Parlamentin Nacional ka qenë pothuaj e vetmja që në këtë panel e ka kundërshtuar diskursin mbizotërues, atë kritik ndaj veprimit që Këshilli Federal i Zvicrës ka bërë duke ndërprerë marrëveshjen e përrmendur. „Nuk qëndrojnë thëniet se marrëveshja është ndërprerë papritmas dhe pa paralajmërim. Kësaj prishjeje i ka paraprirë një histori rreth dyvjeçare që fillon nga shpallja e pavarësisë së shtetit të Kosovës“, ka theksuar Fiala. Ajo më tutje pasi që ka kritikuar institucionet kosovare që kanë dështuar të sigurojnë sundimin e shtetit juridik, ka tërhequr vërejtjen që nga ky tubim „të mos dërgohet mesazh i gabuar në diasporën kosovare se Zvicra, me ndërprerjen e marëveshjes ka treguar qëndrim armiqësor ndaj kosovarëve“.
Një qëndrim të mesëm në debat ka mbajtur Rosmarie Quadranti e BDP-së e cila ka apeluar për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme por pa etiketuar Zvicrën si fajtore.
Deputetja socialdemokrate Barbara Gysi, ka folur në cilësinë e hartueses dhe dorëzueses së interpelancës drejtuar Këshillit Federal lidhur me ndërprerjen e marrëveshjes së sigurimeve sociale. Ajo ka bërë arsyetimin e përmbajtjes së interpelancës dhe ka apeluar për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë të kërkesave të drejta të pensionistëve. Kolegu i saj nga SP/PS-ja, Martin Naef është ndalur në përshkrimin e kontekstit shoqëror kosovar në këto vite të pavarësisë së shtetit të ri dhe reflektimin e marrëveshjes së sigurimeve sociale në këtë sfond.
Në debatin që ka pasuar janë përfshirë edhe një numër pjesëmarrësish nga publiku, duke bërë pyetje dhe ofruar mundësi zgjidhjesh të çështjes së pensioneve zvicerane të kosovarëve.
Doris Fiala (FDP): Në Kosovë nuk ka përparim të duhur të shtetit të së drejtës
E pyetur nga albinfo.ch për „mbetjen në pakicë“ në debatin e zhvilluar, deputetja e FDP-së Doris Fiala ka thënë se kjo është pjesë e demokracisë. „Ka qenë e pritshme që kur si politikane e FDP-së ftohesh në një tubim të organizuar nga sindikatat dhe socialdemokratët, nuk do të ketë pajtim 100 për qind por unë nuk u ik debetave. Ështe e pakontestueshme nga askush se njerëzit që kanë punuar dhe kanë paguar kontributet sociale kanë të drejtë që t`i gëzojnë pensionet. Por duhet pasur parasysh se sundimi i shtetit të së drejtës në Kosovë ende nuk ka arritur në një shkallë të duhur avancimi dhe se marrëveshjet ndërkombëtare nënshkruhen vetëm në rastet kur të dy shtetet i pranojnë kushtet që vlejne në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në këtë rast të veçantë, Zvicra pret nga Kosova që ajo të sigurojë së paku sjelljen e dëshmive që njerëzit e caktuar (pensionistët) jetojnë në Kosovë gjegjësisht dëshmitë e besueshme se ata në përgjithësi janë ende gjallë. Kjo është një kërkesë e kuptueshme nga ana e Zvicrës ndërsa Kosova mjerisht ende nuk ka Zyrë Civile ku një gjë e tillë mund të dokumentohet. Këto janë dallimet që duhen tejkaluar. Unë kam propozuar që Deza (Zyra Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim) të ndihmojë në drejtim të ngritjes së zyrës civile. Jam e sigurt se Deza mund të japë kontributin e saj pasi që e njeh mirë gjendjen në terren, tha në fund z. Fiala për albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Gjermania e Zvicra prijnë me numrin e të regjistruarve për votim nga diaspora 107,158 votues nga diaspora kanë aplikuar për votim në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit të...
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
Jeta në Zvicër
-
Presidentja e ri e Zvicrës në 2025 Në vitin 2025, stafeta presidenciale do t'i kalojë nga Viola Amherd Karin Keller-Sutter, një anëtare e...
-
Migros viktimë e kriminelëve kibernetikë që ua keqpërdorin logon
-
Si do të ndikojnë te qytetarët ndryshimet në ekonominë zvicerane në vitin 2025?
-
Ҫfarë mund të prisni në Zvicër në vitin 2025?
-
Taksat e turizmit shtohen në koston e pushimeve të skive në Alpet zvicerane