Integrimi
Pëllumbat dardanë në qiellin zviceran
“Dardania”, shoqata e kultivuesve të pëllumbave akrobatikë të Kosovës në Zvicër, e barabartë në mesin e 152 shoqatave anëtare të federatës
“Ky është pëllumbi ilir. Ja, shikoje, sa elegant është. Racë shumë e vjetër dhe ndër më të ruajturat në mesin e racave të pëllumbave. Studiuesi gjerman (…) në një botim të vitit 1858 në Dresden e quan atë pëllumbi iliro-dalmat. Ky tjetri është pëllumbi rrotullues (akrobatik) i Kosovës, që në popull njihet si “dynek”. Është po ashtu racë e vjetër dhe shumë karakteristike. Shih si fluturon, atje, heeeej, lartë. Ja tash po fillon të zbresë si shigjetë, duke u rrotulluar rreth boshtit të vet…
Dhe, “rrotulluesi dardan” zbret, pikërisht në oborrin e vogël të kotecit, që ndodhet në një periferi të Lucernit. Këtu, ku i zoti i tij, kultivuesi i pasionuar Rashit Rushiti, po na shpaloste me entuziazëm disa nga fshehtësitë e hobit të tij, kultivimit të pëllumbave.
Si u bë që vendosi të merrej me pëllumbat? Ai gjithsesi e njihte atë imazhin tradicional për pëllumbaxhijtë në Kosovë, imazh që nuk ndryshon shumë nga ai për pijanecët ose rrugaçët.
© albinfo.ch: Rashit Rushiti dhe Urim Musliu
Pasioni për pëllumbat, të krijon varësi!
“I kisha rreth 7 vjet kur më hynë në zemër pëllumbat, të cilët i shihja duke fluturuar nga në kopshtet e mëhallës fqinje, të banuar kryesisht nga romët. Afërsisht në atë kohë fillova të mbaj edhe vetë pëllumba. Fillimisht i “persekutuar” nga babai dhe rrethi familjar, se po merresha me një zanat në zë për të keq. Por, pasioni, që kisha lidhur me këta shpendë fisnikë ishte më i fuqishëm se qortimet e prindërve. Kështu, nga pëllumbat, jo vetëm që nuk u ndava unë, por me dashurinë për ta, i infektova edhe vëllezërit më të rinj”. Kështu thotë Rashiti nga Gjilani, ndërsa, bashkë me “asistentin” e tij, Urimin nga Kërçova, përgatit me zell dhe dashuri dy pëllumbat e tij të zgjedhur ilirë, për t`i fotografuar.
Rashiti dhe Urimi janë anëtarë aktivë të Shoqatës së Pëllumbave Akrobatikë të Kosovës në Zvicër, SHPAKZ “Dardania” me seli në Emmenbrücke të Lucernit.
“Këtu e kaloj një pjesë të mirë të ditës. Është argëtimi dhe preokupimi që më mban vital dhe me disponim të mirë”, thotë Rashiti, i cili para rreth 10 viteve kishte pësuar një aksident, dhe prej atëherë ka mbetur invalid. Ec me ndihmën e një shkopi.
Anëtarë të shoqatës
Pastaj ai “i fluturon” edhe njëherë pëllumbat e tij, duke i dirigjuar me shkopin e tij. Ata i bëjnë disa rrathë në ajër dhe aterrojnë në oborrin e ngushtë. Aty i pret ushqimi, një lloj përzierjeje, me gjasë e shijshme, drithërash. “Nuk duhet lejuar që ta teprojnë me ushqim, se pastaj rëndohen e dembelosen. Nuk munden të fluturojnë”, komenton i zoti i shtëpisë, pa hequr shikimin nga ata.
Në Zvicër, së paku tri shoqata të kultivuesve shqiptarë te pëllumbave
Rashiti është sekretar i shoqatës së kultivuesve të pëllumbave rrotullues të Kosovës, në Emmenbrücke të Lucernit. Duke qenë jo vetëm kultivues i pasionuar por edhe njohës cilësor i historisë së pëllumbave, dhe njëkohësisht duke pasur kohë të lirë më shumë se të tjerët, ai kryen shumicën e punëve për mbarëvajtjen e shoqatës. Ai e mirëmban dhe ushqen me informacione edhe faqen e internetit të kësaj shoqate. Ishte pikërisht kjo faqe, e cila, me punën e përkushtuar të anëtarëve, na e bëri të ditur se shqiptarët edhe në Zvicër paskan shoqatën e tyre të pëllumbaxhinjve. Madje, jo vetëm një por së paku tri, siç marrim vesh më vonë nga z. Rushiti.
Mundësitë që edhe në Zvicër t`i përkushtohet pasionit të tij ai i ka krijuar vetëm para 10-12 viteve, ndonëse këtu gjendet që nga viti 1985. Pak më vonë kanë filluar edhe hapat e parë për organizimin e kultivuesve shqiptarë të pëllumbave në një shoqatë.
“Fillimisht vetëm bëheshim bashkë dhe kënaqeshim me akrobacionet e pëllumbave të njëri tjetrit, këmbenim përvoja Me kohë filluam të mbajmë edhe garat tona interne”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
“Dardania”, e vetmja shoqatë shqiptare e licencuar
“Së voni filluam edhe përgatitjet për të hyrë në rrjetin e shoqatave të kultivuesve zviceranë të pëllumbave. E kishim kuptuar se për të përfaqësuar me dinjitet racat tona të pëllumbave, rruga më e mirë ishte pranimi në federatën e këtushme përkatëse. Të theksoj se lidhur me emërtimin e racave të caktuara të pëllumbave kemi pasur edhe përplasje, kryesisht me kultivues serbë. Ata është dashur t`i bindim për të vërtetën që përfaqësonim. Për këtë arsye ne u munduam gjatë për tu regjistruar. Përpjekjet, më në fund u kurorëzuan me licencimin tonë para më pak se një viti, si shoqatë shqiptare në Zvicër. Për të realizuar këtë, është dashur të plotësoheshin standarde të caktuara nga federata. Jemi shoqata e vetme e një komuniteti të huaj të Zvicrës që bëjmë pjesë në federatë”, e thotë me mburrje sekretari i shoqatës.
Në këtë cilësi, anëtarët e “Dardanisë” kanë filluar të marrin pjesë në ekspozita të ndryshme, nacionale dhe ndërkombëtare dhe në gara, të pëllumbave, që mbahen në Zvicër. “Jam anëtar me të drejta të barabarta në mesin e përfaqësuesve të152 shoqatave simotra në Zvicër, anëtare të federatës”, thotë sekretari i shoqatës. Ndërsa, deri sa Kosova ende nuk ishte shtet, ne hasnim në rezistencë të disa individëve në federatë, të cilët nuk na e lejonin licencimin. “Ju përfaqësoheni nga shteti serb”, na thoshin ata. Këto llafe u ndërprenë pas 17 shkurtit 2008…
Rashiti ndjek me interesim edhe punën e kolegëve të tij në Kosovë. “Organizimi atje është ende i dobët. Ndonëse pas luftës janë themeluar shoqata të ndryshme të kultivuesve të pëllumbave, u mungon baza materiale po edhe qasja profesionale . Nuk kemi pasur as edhe një libër a broshurë të vetme për këtë fushë. Tash së fundi, po dëgjoj, qenka botuar një libër mbi pëllumbat. Uroj që të jetë një libër serioz, me të dhëna të bazuara”, thotë ai, duke pritur që ta shohë këtë libër, që e kishte porositur t`ia sillnin nga Kosova, përfundon bisedën Rushit Rashiti.
Pëllumbi, edhe zog mitologjik
“Paraardhësit tanë, ilirët, kanë kultivuar prej kohësh pëllumbat, duke u dhënë madje atyre edhe përshkrime mitike, sikundër kanë bërë edhe mjedise e kultura tjera, nga Mesopotamia e tutje. Pëllumbat gjithmonë kanë pasur vendin e tyre pranë faraonëve egjiptianë. Madje me varrimin e tyre në piramida bashkë me ta janë varrosur edhe qindra pëllumba”, vazhdon Rushiti. E gjithë kjo tregon për peshën që kanë pasur këta shpendë në kulturat e vendeve përkatëse box
Anëtarët e shoqatës, të shpërndarë në gjithë Zvicrën
Kultivimi i pëllumbave të Kosovës në Zvicër ka filluar që në fillim të viteve ’90. Ndër kultivuesit e parë janë: Remzi Shabani nga Ferizaj, në kantonin e Luzernit, Bajram Sopa nga Prishtina, kantoni Luzern Bjrush Banulla nga Lipjani në Lozanë, Agron Aliu nga Gjilani në kantoni e Bernës dhe në vitin 1998 në Luzern ka filluar me kultivimin e pëllumbave të Kosovës në Zvicër dhe Rashit Rushiti nga Gjilani Shoqata aktualisht ka 34 anëtarë. Ata vijnë nga të gjitha regjionet ku jetojnë shqiptarët, dhe janë të shpërndarë në gjithë Zvicrën, ga Gjeneva në St. Gallen. Kryetar është Avni Muharremi, nënkryetar Fadil Sabedini, sekretar Rashit Rushiti, arkëtar Riza Rizai, dhe koordinator – Naser Sahiti.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë Festa e Shoqatës “Bashkimi Uster” kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë...
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor