Lajme

Peci: Mërgata kosovare ka gastronomë të suksesshëm në gjithë Evropën

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës Faton Peci, mori pjesë në Panairin tradicional të Verës dhe Pijeve Alkoolike “ProWein”, i cili po mbahet në Dusseldorf të Gjermanisë, e në të cilin prodhimet e tyre po i ekspozojnë edhe disa biznese vendore prodhuese të verës siç janë: Bodrumi i Vjetër, Stone Castle, Labi Wine, Verari Suhareka dhe Biopak.

Me këtë rast, Ministri Peci u shpreh se mërgata kosovare ka gastronomë të suksesshëm në gjithë Evropën, të cilët edhe numërojnë qindra restorane me renome.

“Duke u nisur nga kjo, ju bëj thirrje të gjithë gastronomëve që ta vizitojnë Panairin e Verës dhe Pijeve Alkoolike “ProWein” në Dusseldorf që njihet si panairi më i madh në Evropë i këtij lloji, pasi në këtë mënyrë krijojmë mundësi të reja për prodhuesit tanë drejt eksportit, ndërsa gastronomët përveç se do kenë verë cilësore në restorantet e tyre, do kenë dhe një pjesë të traditës që tua prezantojnë klientëve”, tha me këtë rast Ministri Peci.

Ministri i BPZhR-së, Faton Peci, përgëzoi prodhuesit tanë për punën dhe angazhimin e tyre drejt zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të verëtarisë në Kosovë.