Kosova

PDK e cilëson të dëmshëm vendimin e BE-së për heqjen e vizave të serbëve me pasaporta të Serbisë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës, se ka dështuar të mbrojë interesin e shtetit pas vendimit të Bashkimit Evropian mbi heqjen e vizave të qytetarëve në Kosovë me pasaporta serbe.

Nënkryetarja e kësaj partie, Mimoza Ahmetaj, e ka quajtur të dëmshëm vendimin e BE-së.

“PDK-ja ka pritur nga Bashkimi Evropian që ta mbështesë Kosovën në qëllimin e saj për integrimin e serbëve të Kosovës brenda institucioneve legjitime të shtetit tonë, që ata të pajisjen me dokumente zyrtare të Kosovës. Ky vendim kontribuon vetëm në distancimin e serbëve të Kosovës dhe inkurajon ata që të mos bëhen pjesë përbërëse e shoqërisë dhe shtetit të tonë. Megjithatë, edhe ky vendim ndërkombëtar që vjen sot si pasojë për Kosovën, dje e kishte një shkak vendor: Qeverinë e Kosovës! Që nga dita e parë e qeverisjes, pushteti aktual ka pasur një qasje joserioze ndaj dialogut dhe aleatëve tanë”, ka deklaruar Ahmetaj.

Sipas saj, Qeveria Kurti ka treguar paaftësi dhe papërgjegjësi të thellë “në veprimet dhe mosveprimet e saj në politikën e jashtme”.