Kosova

PDK do të iniciojë komision hetimor për listat e veteranëve

Kryetari i PDK-së, njëherësh kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar të themelohet një komision hetimor që do të hetojë listat e veteranëve.

Këtë ai e bëri të ditur në një konferencë për media gjatë ditës së sotme.

Ai shtoi se javën që vjen partia që ai drejton do të iniciojë komisionin hetimor parlamentar, i cili do të hetojë dhe do të  pastrojë listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Komisioni Hetimor Parlamentar, me punën e tij, duhet të sigurojë që listat e veteranëve të jenë të pastruara nga mashtruesit, në mënyrë që luftëtarët e UÇK-së që kanë nevojë të përkrahen edhe më shumë dhe më denjësisht nga shteti i tyre, për të cilin ata luftuan dhe ishin të gatshëm të vetësakrifikoheshin. Raporti final i këtij Komisioni do të bëhet publik, i bazuar në ligj, do të jetë në dispozicion të publikut dhe institucioneve të drejtësisë – për t’i ndjekur penalisht mashtruesit”, tha Veseli.