Kosova

PDK-ja bën thirrje për ofrimin e mbrojtjes për kryetarin e Zveçanit

Partia Demokratike e Kosovës ka dënuar djegien e dy veturave zyrtare të Komunës së Zveçanit dhe ka bërë thirrje që kryetarit Ilir Peci t’i ofrohet mbrojtja nga shteti.

“Rritja e interesimit të qytetarëve serbë që jetojnë në komunën e Zveçanit për të drejtuar dhe shprehur nevojat e tyre ndaj komunës, si duket po i pengon grupet kriminale. Kryetari i Komunës, Ilir Peci dhe ekipi i tij mbeten të përkushtuar në kryerjen e detyrave dhe obligimeve të tyre në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga organet e rendit t’i ofrojnë mbrojtje dhe të garantojnë sigurinë e kryetarit dhe zyrtarëve të tjerë të Komunës së Zveçanit”, thuhet në reagim.

PDK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve të Zveçanit të shfaqin qetësi e maturi dhe të bashkëpunojnë me organet e sigurisë në vend dhe me komunën.