Shqipëria

PD-ja akuzon Bushatin për emërimin e familjarit si ambasador

Partia Demokratike e Shqipërisë ka kundërshtuar emërimet e fundit në diplomaci nga ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, duke e akuzuar atë se ka bërë emërimin e familjarëve të tij. Deputetja Dhurata Çupi, në një konferencë për media tha se ministri Bushati, njësoi si i ati, emëron në poste të rëndësishme diplomatike familjarët e ish-Byrosë Politike.

“Një nga kushtet që Shqipërisë t’i hapen negociatat qershorin e ardhshëm është detyrimi i Qeverisë për të ndërtuar dialog konstruktiv me opozitën! Por Qeveria e ka shkatërruar që tani këtë prioritet, duke e shndërruar diplomacinë shqiptare në strehën e pinjollëve të ish- diktaturës komuniste. Rasti i fundit është ai i emërimit të Virgjil Kules, dhëndri i Rita Markos, ambasador i Shqipërisë në Suedi.

Ky emërim nuk është i rastësishëm! Mbesa e Hysni Kapos është emëruar ambasadore në UNESCO. Dhëndri i Lenka Çukos ambasador në Izrael”, ka thënë ajo, përcjell albinfo.ch.

Deputetja Çupi tha se këta janë njërëzit që, bashkë me Enver Hoxhën, burgosën dhe vranë kundërshtarët e regjimit të tyre.