Shqipëria

PD do të publikojë falsifikimet e Xhafës për të mbrojtur vëllain e tij

Përplasjet në Kuvendin e Shqipërisë sërish janë kthyer, pasi deputetët e opozitës protestuan tek foltorja e Kuvendit pas akuzave të reja ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Drejtuesit e PD-së thanë se do vazhdojnë të publikojnë dokumentet e falsifikimit që Fatmir Xhafaj ka bërë me ligjet e reformës në drejtësi, për të ndihmuar ndalimin e ekstradimit te të vëllait, përcjell albinfo.ch.

Kreu i kësaj partie, Lulzim Basha, në seancën e Kuvendit tha se Xhafaj ka ndryshuar nenin 491, duke konsumuar veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

“Si kryetar i reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj ka siguruar paprekshmëri të vëllait të tij”, theksoi ai. Basha tha se ka fakte të reja për shkelje ligjore, politike e penale për ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Por ndërprerja e fjalës së Bashës ka ngritur në këmbë deputetët e opozitës që janë mbledhur para foltores, teksa kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, tha se koha e tij mbaroi.