Zhvillim
Pasuria me linjit, bekim apo mallkim për Kosovën
Në Kosovë fshihen rezerva kolosale të linjitit. Ato mund ta pasurojnë ose ta çojnë vendin në shkatërrim, shkruan gazeta "Die Welt"
Gazeta e njohur gjermane “Die Welt” i kushton një artikull interesant Kosovës, gjegjësisht thesarit mbi të cilën ajo “fle”, linjitit, që është bekim dhe njëherësh mallkim për Kosovën.
Artikulli fillon me përshkrimin e gjendjes së pashpresë në Obiliq (Kastriot), ku është epiqendra e ndotjes që vjen nga termocentralet e atjeshme, ndotje kjo që pastaj përshkon edhe kryeqytetin, Prishtinën dhe një pjesë të Kosovës.
“Ne jetojmë nën një kambanë ndotjeje, që na bën të gjithëve të sëmurë”, thotë Aleksandër Berisha, një shitës në tregun e pemëve në Obiliq duke dhënë përshkrimin më të saktë të gjendjes.
Vellot e tymit dalin nga katër oxhaqe. Ato vjellin në lartësinë prej 120 metrash tymin, i cili pastaj bën silueta në qiell, që të përkujtojnë një qenie industriale parahistorike. Ato i takojnë një termocentrali të vjetër 40 vjet me bazë linjitin, i cili nga Banka Botërore është përshkruar si “Burimi më i madh i ndotjes së ambientit në Evropë”.
Sado i shkretë të duket ambienti rreth kolosit, ai (termocentrali) ka rëndësi enorme për Kosovën, për faktin se para portave të Obiliqit fle një thesar. Nën peizazhin e qetë të përbërë nga pyje dhe kodra, shtrihen rezervat më të mëdha në Evropë të linjitit. Një miliardë tonë të këtij karburanti thuhet të jetë shtresuar këtu, (vetëm në Obiliq) shumë më tepër se që ka nevojë Kosova për vete. Sipas ekspertëve, shteti më i ri dhe më i varfër i Evropës mund të furnizojë gjithë regjionin me linjit. Por për të bërë këtë, duhet nxjerrë më shumë linjit nga toka.
“Brenda një gjenerate, Kosova mund të bëhet furnizuese me energji për gjithë Evropën Juglindore”, thotë profesori i Oksfordit, James Pettifer, njëri ndër ekspertët kryesorë të Ballkanit.
“Potenciali ekonomik është enorm”, beson edhe Skender Xhakaliu, ambasador i Kosovës në Gjermani. Ndërsa inxhinieri i minierave Rainer Hengstmann, i cili ka punuar në Prishtinë për OKB-në thotë se kjo do të mundësonte hapjen e 35 mijë vendeve të reja të punës në degën e energjetikës.
Linjiti, besojnë ekspertët, i ofron vendit një shans për të dalë nga mjerimi ekonomik. Dhe kjo i duhet shtetit urgjentisht. Përparimi modest i arritur viteve të kaluara, kërcënon të fashitet. Fajet i ka kriza e euros, e cila e ka arritur edhe Kosovën, ndonëse me vonesë.
Në vitin 2011 ekonomia e vendit është rritur për 4.5 për qind, në vitin 2012 vetëm 2.5%. Ndërsa siç vlerëson komisioni i BE-së, në vitin 2013 rritja ekonomike do të jetë ulur edhe më tej.
Më tutje, shkruan “Die Welt” Kosovës po i pakësohen dy burime të ardhurash: disa shtete të BE-së, të detyruara të kursejnë, e kanë ulur shkallën e ndihmave për regjionin dhe në të njëjtën kohë diaspora kosovare dërgon më pak para në vendlindje, një zhvillim fatal ky për vendin e vogël, ekonomia e të cilit vështirë se mund të qëndrojë në këmbët e veta.
Megjithatë, linjiti nuk është i përshtatshëm si ndihmë e menjëhershme, si mjet kundër krizës. “Ai mund ta çojë vendin drejt mirëqenies”, thotë eksperti i Ballkanit, Pettifer, “por jo sot për nesër”. Investimet që duhet t`i bejë shteti në këtë sektor duhet të jenë gjigante. “Është një rrugë e gjatë, e vështirë”.
Obiliqi ka një vend të posaçëm në këtë rrugë, pasi që aty është rezervoari më i madh i vendit, edhe pse jo i vetmi. Nëpër “damarët” e këtij thesari në regjione të ndryshme të Kosovës fshihen 14.7 miliardë tonë linjit. Me këtë pasuri, vendi i vogël i Ballkanit zotëron rezervat që në nivel planetar zënë vendin e pestë, pas Rusisië, Kinës, Gjermanisë dhe SHBA-së.
Pjesën më të madhe të tij, Kosova mund ta eksportonte, pasi që nevojat e veta për energji janë dukshëm më të vogla. Për të siguruar energji të mjaftueshme për një jetë njeriu, Kosovës do t`i mjaftonte gjysma e rezervave që janë vetëm në Obiliq.
Por kush do të hapte minierat tjera, kush do të përpunonte linjitin e papërpunuar dhe kush do të bënte transportin për në vendet fqinje etj.? Kosovës i mungojnë inxhinierët ndërsa investitorët e huaj vështirë se ia mësyjnë Kosovës. Ata i druajnë mungesës së sigurisë juridike, zyrtarëve të pagdhendur dhe korrupsionit.
Në listën e korrupsionit të bërë nga Transparency International, Kosova zë vendin e 111, në mes të Etiopisë dhe Tanzanisë. Krahas kësaj, shumë qytetarë besojnë se elitat e shtetit janë të përfshira në tregti me arme dhe me drogë, deri lartë, në qeverinë e kryeministrit Thaçi. Shteti nuk ia del të sigurojë as furnizimin e duhur me energji elektrike.
Sipas organizatës së përmendur, Kosova ndodhet në një gjendje të vështirë ekonomike. Brutoprodukti i saj për kokë banori është 2600 euro, aq sa i Mongolisë. Me 45% të papunë, Kosova zë vendin e parë në Evropë, ndërsa në veri papunësia arrin deri në 80 për qind. Malli që eksporton më së shumti Kosova është hekuri i vjetër. Por ndërkohë lulëzon ekonomia informale (në të zezë), e cila merr pjesë me 30 deri 45 për qind në gjithë ekonominë e vendi.
Gjendja jo e qetë politike, për shkak të burimit të konflikteve në veri, e shton edhe më shumë këtë pasiguri, për të cilën vazhdon të jetë i nevojshëm Kfori. Tensionet e shtypin zhvillimin e Kosovës.
Por, edhe me kusht që një ditë Kosova do të mund të shfrytëzonte të mirat nga nëntoka e saj, kjo ende nuk do të ishte zgjidhje e problemit. Ndoshta më shumë do të ishte një traumë për vendin, traume çfarë bota ka parë tashmë në vende të ndryshme, ku pranë pasurive natyrore, populli vuan ndërsa dhuna e mjerimi shtohen. Kështu, pasuria e madhe e rezervave në vend se bekim, mund të bëhet mallkim për vendin që e zotëron atë, citon gazeta ekspertë të njohur botërorë.
Si pasojë e korrupsionit të elitave vendore, në këto shtete neglizhohet jo vetëm mbrojtja e ambientit por edhe ngritja e standardit të popullatës. Ekspertët si Paul Collier nga universiteti Oksford etj. kanë vlerësuar se në vende të tilla rreziku i shpërthimit të luftërave qytetare është 23 për qind ndërsa në vendet pa rezerva nëntokësore vetëm 0.5%.
Qeverisë së Kosovës i duhet të ndjekë një rrugë tjetër nga ajo që kanë ndjekur qeveritë e vendeve të ndryshme që kanë humbur arsyen në pasurinë e vendit të tyre. Ajo duhet të dijë t`i orientojë miliardat nga pasuria e nëntokës në projekte të dobishme për vendin dhe popullin, citon gazeta ekspertin Jammes Pettifer.
Të tjera nga Zhvillim
E-Diaspora
-
Ka mashtruar me baste sportive: Gjykata Federale konfirmon dëbimin e kosovarit Gjykata e Qarkut e kishte dënuar vetëm me burgim me kusht por ai ishte ankuar dhe...
-
Deputeti i Parlamentit të Konfederatës Zvicerane, Islam Alijaj pajiset me pasaportë të Kosovës
-
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”: “Ne nuk harrojmë!”
-
Rreth katër orë pritje në Merdarë për të dalë nga Kosova
-
Ka shkatërruar Ferrarin e tij, 43 muaj burg dhe 6 vjet dëbim për kosovarin
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Borë, shi, ftohtë dhe erëra të stuhishme Ditët e fundit kanë sjellë mot ekstrem në Zvicër. Ajo që filloi me rikthimin e borës...
-
Dy të vdekur në pistat e skive në Zvicër në fundjavë
-
Si do të ndikojë tek shoferët plani për të shkurtuar më shumë hapësira parkimi në qytetet zvicerane?
-
“House of Kosova” në Forumin Ekonomik Botëror 2025 në Davos
-
Pse mund të ndodhë t’u kontrollohen çantat në një supermarket zviceran?