Lajme
Pastrimi i parave po ndikon në rritjen e çmimeve të banesave në Zvicër

Tregu zviceran i pasurive të paluajtshme, i njohur për sigurinë dhe stabilitetin e tij, është kthyer në një destinacion të preferuar për pastruesit e parave. Kjo situatë ka ndikuar në rritjen e çmimeve të pronave, por ende nuk ka të dhëna të sakta për përmasat e këtij fenomeni.
Eksperti i pastrimit të parave, avokati Fabian Teichmann, thekson se tregu i pasurive të paluajtshme është një mënyrë e njohur për pastrimin e fondeve të paligjshme. “Po të isha kriminel, do të investoja në pasuri të paluajtshme në Zvicër”, shprehet ai, duke shtuar se mungesa e kontrolleve strikte e bën këtë sektor veçanërisht tërheqës për aktivitete të tilla, shkruan 20minuten.
Një metodë e zakonshme e pastrimit të parave përfshin blerjen e pronave përmes një “burri kashte” — një person pa precedentë penalë, që vepron si blerës. Një pjesë e pagesës bëhet me transfertë bankare, ndërsa një shumë e konsiderueshme jepet në dorë, pa u përmendur në kontratë. Kjo lehtëson pastrimin e fondeve dhe njëkohësisht përfiton edhe shitësi, shpesh përmes uljes së taksave mbi fitimin e pronës, përcjell albinfo.ch.
Për të maskuar më tej gjurmët, prona rinovohet duke përdorur kombinimin e faturave zyrtare dhe pagesave me para në dorë, duke i mundësuar tregtarëve të shmangin taksat. Më pas, prona ose jepet me qira, ose rishitet me fitim, duke futur paratë e pastruara në ciklin ekonomik.
Ekspertët besojnë se pastrimi i parave ka një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e çmimeve të banesave. “Kur shumë kriminelë investojnë në pasuri të paluajtshme, kërkesa rritet. Me një ofertë të kufizuar, çmimet e blerjes dhe qiratë rriten gjithashtu”, thotë Teichmann.
Ndërkohë, Zyra Federale e Policisë (Fedpol) konfirmon se sektori i pasurive të paluajtshme është veçanërisht i ndjeshëm ndaj pastrimit të parave, por nuk ka të dhëna të sakta mbi përmasat e këtij fenomeni në Zvicër, shkruan 20minuten.
Autoritetet zvicerane janë në përpjekje për të forcuar kontrollet, me një ligj të ri që synon të detyrojë agjentët e pasurive të paluajtshme të raportojnë aktivitetet e dyshimta dhe të verifikojnë klientët e tyre.
Megjithatë, Teichmann dyshon në efektivitetin e këtyre masave, duke argumentuar se shumë agjentë nuk kanë asnjë interes për të zbuluar pastrimin e parave, pasi kjo do të ndikonte negativisht në biznesin e tyre. Për më tepër, ai thekson se shumica e tyre nuk kanë trajnim ose mjete të duhura për të identifikuar transaksione të dyshimta.
Nëse këto masa nuk zbatohen siç duhet, ekspertët paralajmërojnë se rritja e çmimeve të pronave mund të vazhdojë, duke e bërë edhe më të vështirë qasjen në strehim për popullatën e zakonshme dhe duke rritur tensionet sociale në vend, përcjell albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Sopranoja shqiptare, Ana Naqe të shtunën me performancë në Bruksel Sopranoja shqiptare, Ana Naqe, do të performojë të shtunën në Bruksel, në “Théâtre de La Monnaie”....
-
Fehmi Fetahu: Bizneset në Zvicër duhet të përgatiten për pasojat e tarifave të Trump-it
-
44 vjeçarja shqiptare plagoset rëndë nga një zviceran
-
Një vend dinjitoz për të gjithë, Weinfelden-i debaton rregulloret e reja të varrezave
-
BBC: Mafia shqiptare dhe trafiku i kokainës në Evropë
Jeta në Zvicër
-
Çfarë moti do të mbajë në Zvicër gjatë Pashkëve? Me shumë diell dhe temperatura të buta, Zvicra po shfaq anën e saj pranverore – por...
-
Zvicra shënon rritje të popullsisë përkundër rënies së imigrimit dhe lindshmërisë
-
Rënie e lindjeve të shumëfishta pas IVF në Zvicër
-
Toblerone rikthehet me simbolin zviceran – investim i ri në Bernë
-
Zvicër: Ndalohen fishekzjarrët