Portrete të firmave
Pastiçeria e shqiptarit me specialitete franceze, në zemër të Vjenës
Furrë buke dhe pastiçeri franceze në Vjenë mund të ketë shumë, por ju mbase nuk e dini që një pastiçeri krejtësisht e veçante është hapur nga një shqiptar. Croissante, baguette dhe tarte citrone franceze mund t’i shijoni vetëm në “L’Amour du Pain”
Fation Kolici zotëron një qoshe tepër të preferuar në një rrugë lidhur me sheshin në Mariahilferstrase. Bëhet fjalë për L’Amour du Pain, vendin ku unë kam ngrënë croissant dhe baguette më të mira të jetës. Ky mendim nuk vjen vetëm prej meje, por e tregojnë komentet e shumta online, suksesi në media dhe klientët të cilët presin në radhë për bukën e Fationit.
Kolegët e punës për ditëlindje më sollën disa ëmbëlsira të vogla shumë simpatike e të shijshme që më mbeten në mendje. Njëra prej tyre tha se ky vend ishte i preferuari i saj, sidomos për bukën dhe madje nuk përtonte fare të mbante radhë mëngjeseve për të shikuar croissantin e L’Amour du Pain. “Me sa di unë e ka një francez”, tha kolegia ime, duke e mburrur vendin. Pasi e vizitova vetë, mësoj që ky “francezi” na qenka 100% shqiptar, ama mjeshtër i brumit në të njëjtin nivel me ata të Francës. Jam takuar shpesh me Tonin e Roelën dhe më kënaq mikpritja e tyre sidomos kur takojnë shqiptarë.
Toni, siç e thërrasin shkurt, është me origjinë nga Korça. Në vitin 1997 kishte filluar studimet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, emigron në Greqi bashkë me familjen. Njohuria e gjuhës franceze e ndihmoi për të gjetur punë në një furrë buke, ku pronari ishte frankofon. 3 muaj më pas, shefi i ofron një kontratë 2-vjeçare në Kamerun të Afrikës. Ato 2 vite u bënë në total 18, ku Toni me fitimin e përvojës menaxhonte rreth 700 punëtorë të prodhimit të bukës, ku të gjithë së bashku piqnin 160 mijë bukë në ditë. Kjo shifër më bëri të mendoj sa e rëndësishme është buka si produkti kryesor minimal në tavolinën e çdo shtëpie. Ndonëse Kameruni mbahet si vend i rrezikshëm, kjo s`e ka penguar atë të emigrojë atje, madje e bëri mjeshtër të brumit njësoj si francezët, duke qenë se vendi është koloni franceze dhe gjuha kryesore është frëngjishtja, shkruan albinfo.at.
Dashuria për bashkëshorten, kthen Tonin pas 18 vjetësh nga Kameruni në Vjenë
Njohja me bashkëshorten Roelën, e shpërnguli Tonin në Vjenë, me ëndrrën se do të kishte atë që ka sot. Pas pesë viteve peripeci për të marrë lejen nga banorët e pallatit për krijimin e furrës së bukës dhe pastiçerisë, në shtator 2020 hap dyert L’Amour du Pain që në shqip përkthehet “dashuria për bukën.” Vendodhja në Mariahilferstrase e ndihmoi për të rënë në sy, megjithatë klientët e parë ishin komshinjtë, e më pas bloggerët që kishin dëgjuar për vendin.
Një muaj pas hapjes në Vjenë ndodhi lockdown (mbyllja) prej Covid-19, por L’Amour du Pain vazhdoi punën. “Kishim shumë punë në atë kohë edhe pse ishte fillimi. Në orën 3-4 pasdite e mbyllnim pasi ishte shitur gjithë buka dhe ëmbëlsirat, mund ta shikoje komplet banakun bosh,”-thotë Toni për albinfo.at. Nuk kaluan shumë kohë dhe gazetari Alex Jokel nga “Wien Heute” regjistroi reportazhin javor duke i bërë reklamë tepër pozitive. Nga aty mori hov të madh dhe klientela u rrit çdo ditë e më shumë.
Të gjitha produktet vijnë nga Franca
Por çfarë e bën këtë furrë buke franceze kaq të veçantë nga të tjerat? “Miellin, gjalpin, çokollatat dhe të gjitha produktet i marr në Francë në firmat më të mira. Përgatitja e croissantit me gjalpin francez bën goxha dallim nga ai vendas. Kemi shumë klientë nga Franca e disa prej tyre mendojnë se dhe pronari është francez,”- shprehet Toni me shaka gjatë bisedës së bërë bashkë për albinfo.at. I tregova të njëjtën histori me kolegen time, e cila mendonte njëlloj, por ky në fakt është një farë komplimenti duke qenë se prodhimet e tij janë po aq të shijshme sa ato të Francës.
Më pas revista e famshme austriake Falstaff i dedikoi një shkrim të gjatë pastiçerisë, që u pasua me ardhjen e më shumë influencerëve dhe klientëve. Ëmbëlsirat në “L’Amour du Pain” prodhohen nga një tjetër pastiçer francez i cili ka ardhur enkas nga vendi i tij. Më ka bërë përshtypje sepse sa herë që e vizitoj, vitrina e ëmbëlsirave ndryshon sipas sezonit, ku vetëm disa prej tyre nuk ndryshojnë. Prandaj, duhet të bëni një rrugë shpesh nga pastiçeria sepse do të befasoheni me shumëllojshmërinë e ëmbëlsirave tradicionale franceze, por dhe pak të miksuara me japoneze. Megjithatë, gjatë bisedës që bëmë, Toni thotë se sekreti i shijeve janë produktet sidomos gjalpi, ndërsa unë me timen mendoj se ka të bëjë më tepër personi që e gatuan, por atij i pëlqen të jetë modest.
“Të bësh një croissant do 2 deri 3 ditë. Për shembull, sot duhet përgatitur brumi, më pas futet në frigorifer një ditë të tërë. Të nesërmen duhet të përpunohet tek makineria, të pritet dhe ditën e tretë të bëhet pjekja përfundimtare. Ka shumë rëndësi gjalpi, pasi kur kam testuar me gjalpin e Austrisë ose Gjermanisë, shija s’ka qenë e njëjtë”, sqaron Toni për albinfo.at. Është për të ardhur keq në fakt që croissant është krijuar në Vjenë, por pasi francezët e gjetën dhe e bënë akoma më të shijshme, morën gjithë meritat.
Shija franceze, në mes të Vjenës
Produkti më i shitur në “L’Amour du Pain” janë bukët baguette dhe croissant. Tjetër mënyrë për të provuar shijet franceze që ofron, është nëpërmjet porosisë online, pasi kështu sigurohesh që nuk do të mbetesh pa gjë, ama duhet të shkosh ta marrësh atje personalisht. E pyeta Tonin nëse kishte interes të bënte dërgesa në adresa të ndryshme, pasi ka shumë kërkesa nga hotele, restorante apo kafeteri. Dëshira për të bërë shumë gjëra është e madhe, por filozofia e tij është “pak e saktë” për mos të humbur cilësinë dhe besueshmërinë e klientit. Këtë mendësi e vlerësoj shumë pasi njeriu në jetë duhet të gjejë dhe kohë për familjen e pasionet e tij, e mos të jetë i babëzitur për para e sukses.
Tek “L’Amour du Pain” mund të shikosh nga banaku se si përgatitet brumi e produktet e tjera shumë pranë teje. Kjo e bën dhe më të veçantë përvojën. Me qejf do të kaloja një mëngjes të tërë duke pirë kafe e vrojtuar mjeshtrit e bukës, ndërkohë që në dorë jam duke ngrënë sandviçin super të freskët me produkte franceze nga një shqiptar në mes të Vjenës. Aty jam ndier gjithmonë shumë rehat, pasi është vend tepër i ngrohtë, e nëse dëgjohesh duke folur gjuhën amtare, me siguri Toni do t’ ju afrohet me dashamirësi për t’ju përshëndetur. Ju sugjeroj të provoni Eclair Caramel Salé, Mille Feuilles, baguette e çfarëdo tjetër t’ju kapur syri.
Në “L’Amour du Pain” gjërat nuk janë vetëm simpatike për syrin, por dhe të shijshme për stomakun. Prandaj, nëse gjendesh dikur afër Mariahilferstrasse, shko me vrap tek Otto-Bauer-Gasse 21 për një kafe dhe croissant e pastaj do më kujtoni që kisha të drejtë.
Box
Deri në 3 ditë për të bërë n,jë croissant
“Të bësh një croissant do 2 deri 3 ditë. Për shembull sot duhet përgatitur brumi, më pas futet në frigorifer një ditë të tërë. Të nesërmen duhet të përpunohet tek makineria, të pritet dhe ditën e tretë të bëhet pjekja përfundimtare. Ka shumë rëndësi gjalpi, pasi kur kam testuar me gjalpin e Austrisë ose Gjermanisë, shija s’ka qenë e njëjtë”, sqaron Toni për albinfo.at.
Të tjera nga Portrete të firmave
E-Diaspora
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji Në një ceremoni homazhi në Gjenevë, të përgatitur nga familja dhe miqtë e dashamirët e tij,...
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
Jeta në Zvicër
-
Hotelet e Bazelit nuk duhet të rrisin shumë çmimin për shkak të Eurovizionit Shoqata rajonale e hoteleve po u kërkon anëtarëve të saj që të rrisin çmimet vetëm në...
-
Festivali Federal i Muzikës 2026 do të mbahet në Biel
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju