Kosova
Pasojat për bizneset kosovare pas vendosjes së tarifës nga SHBA-ja

Mësohet se mbi 60 për qind të produkteve nga kompania kosovare Walone Fashion Group shiten në tregun e Shteteve të Bashkuara – deri më tani pa ndonjë tarifë doganore, përcjell albinfo.ch.
Por kjo do të ndryshojë pas 5 prillit, kur hyn në fuqi vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për tarifën prej 10 për qind për importet nga Kosova.
Masa tregtare për Kosovën është pjesë e një vendimi më të gjerë të Uashingtonit, që shënjestron me tarifa të gjitha vendet e botës.
Pronari i kompanisë, Valon Osmani, thotë se ky vendim do të ketë ndikim në biznesin e tij, pasi shumica e konsumatorëve janë amerikanë.
Kompania Walone Fashion Group njihet për fustanet elegante dhe moderne të nusërisë.
Osmani thotë për Radion Evropa e Lirë se që shtatë vjet eksporton produkte në SHBA që kapin vlerën deri në 800.000 euro në vit.
“Tani jemi në siklet, pasi nuk e dimë si do të reagojnë klientët, a do të vazhdojnë të porosisin apo do të anulohen disa porosi. Tani mbetet të shohim si do të ndikojë kjo situatë. Normalisht, do të marrim disa masa në varësi të zhvillimeve”, thotë ai.
Osmani shprehet se nuk është i interesuar që të ulë sasinë e eksportit, por synon që të rrisë çmimet e produkteve.
Organizatat ekonomike në vend kanë paralajmëruar se tarifa prej 10 për qind do të rrisë çmimet e produkteve me origjinë nga Kosova, duke sjellë pasoja për bizneset.
Ato thonë se që nga viti 2019, eksportet e përgjithshme të Kosovës në SHBA kanë shënuar rritje të ndjeshme dhe kryesisht për shkak të përmirësimit të cilësisë së produkteve.
Të dhënat e Doganës së Kosovës e konfirmojnë këtë trend. Në vitin 2019, eksportet drejt SHBA-së kapën vlerën e 3 milionë eurove, ndërsa tre vjet më vonë kjo shifër arriti në mbi 131 milionë euro.
Në tre muajt e parë të këtij viti, sipas Doganës, eksportet kanë arritur në 5.6 milionë euro, prej të cilave 3.2 milionë euro i përkasin kategorisë së veshmbathjeve.
Pasojat për eksportuesit kosovarë
Sipas kryetarit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tarifa prej 10 për qind e vendosur nga SHBA-ja mund të ketë ndikim si në të ardhurat e bizneseve, ashtu edhe në uljen e numrit të punëtorëve.
“Patjetër që do të ketë ndikim, sidomos në periudhë afatshkurtër. Duhet pasur parasysh se disa mallra të eksportuara nga Kosova në SHBA kanë pasur çmime më të ulëta, gjë që u ka dhënë një përparësi konkurruese prodhuesve kosovarë”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.
Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, shtrenjtimi i produkteve që Kosova eksporton – për shkak të taksës së SHBA-së – mund të bëjë që të bjerë edhe kërkesa për to, rrjedhimisht edhe prodhimi.
“Bizneset do të përpiqen të gjejnë tregje të reja, por kjo kërkon kohë, angazhim dhe investime. Nuk është diçka që ndodh brenda natës, nuk është e lehtë të riorientohesh menjëherë në një treg të ri”, u shpreh Rafuna në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Për të zbutur efektin e tarifës mbi prodhuesit eksportues, organizatat ekonomike kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masa lehtësuese.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë i bëri thirrje Qeverisë që të mbështesë bizneset e prekura nga ky vendim.
Kërkohet heqja e tarifës ndaj mallrave amerikane
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i kërkoi Qeverisë pezullimin e tarifës doganore prej 10 për qind për mallrat nga Shtetet e Bashkuara.
Pas kërkesës së presidentes, ministri në detyrë i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, të enjten vonë tha se kabineti qeveritar po e shqyrton tarifën ndaj importeve nga SHBA-ja.
Kërkesë të njëjtë, sikurse Osmani, bëri edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cila vlerësoi se tani është momenti i duhur që Kosova të heqë plotësisht tarifën që aplikon për mallrat amerikane.
“Kjo masë do të ndihmonte Kosovën që të pozicionohej më mirë në përpjekjet e ardhshme për të ndjekur një marrëveshje formale të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara”, thotë drejtuesi i kësaj ode, Arian Zeka.
E-Diaspora
-
Një dritare e re për gjuhën shqipe në Zvicër, hapet klasa e re në Buchrain të Lucernit Të hënën, më 14 prill 2025, në ambientet e shkollës HLB (Hinterleisbach) në Buchrain të kantonit...
-
Sigurimi i veturave: 57% e zviceranëve, kundër diskriminimit të kosovarëve
-
Gjon’s Tears i ftuar special në “Eurovision 2025”
-
Votimi i diasporës, zarfet e para vijnë sot në Tiranë
-
Kanë mashtruar me firmën e kopshtarisë: Djali dëbohet në Kosovë, babai “shpëton”
Jeta në Zvicër
-
Shitja e një apartamenti është gjithnjë e më e vështirë, veçanërisht në Ticino Në nivel kombëtar, kohëzgjatja mesatare e publikimit të një reklame në portalet kryesore u rrit me...
-
Banorët e Brienzit lejohen të kthehen në shtëpi gjatë fundjavave
-
Një dritare e re për gjuhën shqipe në Zvicër, hapet klasa e re në Buchrain të Lucernit
-
Qeveria zvicerane synon të zbusë standardet për shpërndarjen e postës
-
Kompanitë zvicerane gjithashtu mbështeten te “influencerët” për të shitur më shumë