Lajme
Pas rritjes së çmimeve të energjisë, parashihet inflacion në 4.8 për qind
Inflacioni do të mbetet i lartë në të gjithë Eurozonën, të paktën deri në fund të verës, sipas paralajmërimeve nga Brukseli.
Shkaktarët kryesorë janë rritja e çmimeve të energjisë dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimeve.
Në tremujorin e parë të këtij viti inflacioni do të arrijë në 4.8% dhe do të qëndrojë mbi nivelin 3% deri në tremujorin e tretë, sipas parashikimeve më të fundit ekonomike të Komisionit Europian. Bllokut do t’i duhet të presë deri në tremujorin e katërt të vitit 2022 për të pasur një ulje të inflacionit në shifrën 2.1%.
Ky parashikim bazohet në supozimin se pengesat e furnizimeve do të zhbllokohen gradualisht dhe çmimet e gazit do të ulen, teksa temperaturat bëhen më të ngrohta dhe tensionet gjeopolitike midis Ukrainës dhe Rusisë do të zgjidhen.
“Pasiguria do të mbetet e lartë”, tha Paolo Gentiloni, komisioneri i BE-së për ekonominë.
“Rritja e inflacionit në rang global mund të sjellë një kontraksion më të shpejtë nga sa pritej të politikës monetare, me pasoja te kushtet globale të financimit dhe te kërkesa”, përcjell Albinfo.ch.
Ky lajm vjen pas raportit të janarit, i cili tregoi se inflacioni arriti në 5.1% në bazë vjetore, një nga shifrat më të larta ndonjëherë. Kjo ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e furnizimit gjithnjë e më të shtrenjtë me energji, e cila shënoi një rritje të ndjeshme të çmimit prej 28.6%.
Ushqimet e papërpunuara, si frutat dhe perimet e freskëta, po kontribuojnë gjithashtu në rritjen e inflacionit, si pasojë e kostove më të larta për fertilizuesit.
Në përgjithësi, Bashkimi Evropian do të duhet të përballet me një normë mesatare inflacioni prej 3.9% përgjatë gjithë vitit, një ndryshim dramatik pas një dekade që inflacioni ka qenë nën kufirin e 2%.
Vendet që pritet të pësojnë rritjen më të theksuar të çmimeve janë Polonia (6.8%), Lituania (6.7%) dhe Sllovakia (6.4%). Nga ana tjetër, Malta (2.1%), Portugalia (2.3%) dhe Danimarka (2.5%) do të regjistrojnë shifra më të vogla, por gjithsesi mbi standardin e Bankës Qendrore Europiane.
Gentiloni shtoi se inflacioni në Eurozonë mund të bjerë në shifrën 1.7% në vitin 2023.
Të gjithë sytë nga Frankfurti
Parashikimi ekonomik i së enjtes konfirmoi gjithashtu se BE në tërësi u kthye në nivelet ekonomike që kishte para fillimit të pandemisë, që në tremujorin e tretë të vitit 2021, pas një rritjeje të fortë në pranverë dhe në fund të vjeshtës.
Blloku pritet të zgjerohet me 4,0% në vitin 2022 dhe me 2,8% në vitin 2023. Shifra e vitit 2022 është pak më e ulët se ajo e publikuar në parashikimin e nëntorit (4,3%), kur varianti Omicron nuk ishte bërë ende kaq i përhapur.
Mutacioni i ri i COVID-19, i shoqëruar me krizën e vazhdueshme të energjisë, shkaktoi një ngadalësim drastik të aktivitetit ekonomik të BE-së gjatë muajve të fundit të vitit 2021 dhe vazhdon të kufizojë rritjen ekonomike. Masat për koronavirusin dhe mungesat e stafit gjithashtu ndikuan në rënien e aktivitetit.
“Varianti Omicron është përhapur me shpejtësi, pasi rastet e reja ditore vendosin rekorde njëra pas tjetrës në shumë vende – megjithëse ditët e fundit ofrojnë një optimizëm se piku ka kaluar për Europën në tërësi,” tha Gentiloni.
Komisioneri vuri në dukje se infektimet me COVID-19 janë më të larta në numër, por me pasoja më të lehta në krahasim me valët e mëparshme, duke sjellë një numër më të ulët të shtrimeve në spital dhe të fataliteteve, falë vaksinimit.
Të gjithë sytë janë kthyer nga Brukseli në Frankfurt, ku presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, ende nuk ka konfirmuar nëse institucioni i saj do të rrisë normat e interesit në muajt në vazhdim të këtij viti, për të luftuar inflacionin, transmeton monitor.
Normat e interesit në Eurozonë kanë qenë negative që nga viti 2014, një politikë kjo e prezantuar nga paraardhësi i Lagarde, Mario Draghi, si një përgjigje ndaj inflacionit të ngadaltë pas krizës europiane të borxhit.
Kur inflacioni rritet, edhe normat e interesit pritet të rriten. Ata që japin hua, kërkojnë norma më të larta për t’u siguruar që të mos humbasin vlerën e parasë kur huamarrësit t’i paguajnë ato në të ardhmen.
Për muaj të tërë, Lagarde ka refuzuar të flasë për çdo lloj rritjeje të normës së interesit, por pas shifrës tronditëse të janarit për inflacionin prej 5.1%, ajo i befasoi vëzhguesit me komentet që nënkuptonin gatishmërinë për të shtrënguar politikën monetare në përputhje me bankat homologe në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës