Lajme

Ankesa për ngadalësim të modeleve të vjetra nga Apple

Informacionet e fundit tregojnë se pas prezantimit të modeleve të reja të iPhone nga kompania Apple, shumë përdorues të modeleve më të vjetra janë ankuar se telefonat e tyre të mençur janë ngadalësuar.

Duhet theksuar se që nga eventi i së martës, ku u prezantuan modelet e reja iPhone 12, iPhone 12 Mini, iPhone 12 Pro dhe iPhone Pro Max, përdoruesit e kësaj teknologjie janë ndarë në dy pjesë: ata që më zor po presin të marrin modelet e reja në dorë dhe ata që kanë filluar të ankohen për problemin që u sjell Apple sa herë që sjell versione të reja të iPhone-ve.

Shumë komente dhe fotografi tallëse kanë vërshuar faqet zyrtare të kompanisë në rrjetet sociale, por fatmirësisht ka një shpjegim edhe për ngadalësimin që po përjetojnë versionet e viteve të kaluara.

Me lansimin e iPhone 12, Apple po ashtu ka bërë të ditur se duhet një azhurnim i ri i iOS. Kjo do të thotë që shumë prej sistemeve në iPhone-in tuaj të tanishëm do të ndryshojnë, duke e rënduar procesorin vetëm për një kohë.

Studiuesi Adrian Kingsley-Hughes shpjegoi: “Instalimi i një iOS të ri në një iPhone shkakton shumë gjëra që vazhdojnë në prapavijë, nga indeksimi, te ri kalibrimi i baterisë dhe kjo mund të vazhdojë me orë ose edhe ditë të tëra”.

Ai tha se gjithë ky proces harxhon energji dhe krijon përshtypjen se keni probleme me baterinë tuaj, megjithatë ai shtoi se duhet të mendoni për faktorin tjetër pozitiv. Pas një versioni të ri iPhone, gjithmonë vjen diçka e mirë edhe për telefonat tuaj të vjetër. Shumë nga aplikacionet përditësohen me karakteristika të reja.