Integrimi

Pas 22 vitesh qëndrim, Zvicra dëbon kosovarin e varur nga droga

Në vitin 2012 një gjykatë i pati shqiptuar një dënim me 2 vjet e gjysmë burg për vjedhje, tentim grabitjeje, dëmtim prone, prishje të rendit publik, shkelje të ligjit mbi drogën etj

Ka jetuar „gjithë jetën“ në Zvicër, gjegjësisht nga vitii 1992, kur i kishte mbushur 4 vjet dhe në kuadrin e bashkimit familjar, prindërit e kishin sjellë në këtë shtet. Sot, kosovari është 26 vjeç dhe pritet të dëbohet nga Zvicra. Një vendim i Gjykatës Federale e detyron të riun e varur nga droga të kthehet në Kosovë, në vendin që e njeh vetëm nga pushimet.

Por, ky vendim i ashpër nuk ka ardhur rastësisht. Kosovari i ri me qëndrim në kantioit Thurgau kishte hyrë në botën e drogës që në moshën 15 vjeçare. Atëbotë atij i ishte shqiptuar një masë edukative, ndërsa më vonë ka rënë disa herë në konflikt me ligjin, për çfarë i ishte shqiptar një vërejtje nga autoritetet për të huaj.

Në vitin 2012 një gjykatë në kantonin Thurgau i pati shqiptuar një dënim me 2 vjet e gjysmë burg për vjedhje, tentim grabitjeje, dëmtim prone, prishje të rendit publik, shkelje të ligjit mbi drogën etj.

Duke marrë shkas nga ky denim, Zyra për Migracion e Kantonit Thurgau, ia kishte shpallur atij  të pavlefshme lejen e përhershme të qëndrimit në Zvicër (Viza C). Departamenti i drejtësisë dhe i policisë në kantonin e përmendur kishte hedhur poshtë ankesën e 26 vjeçarit. Pastaj, vendimin e zyrës për migracion e kishte vërtetuar edhe Gjykata Administrative e kantonit dhe së fundi edhe Gjykata Federale, si shkalla më e lartë e gjyqësisë në vend. Sipas kësaj të fundit, vendimi për marrjen e lejes së përhershme të qëndrimit dhe ai për dëbim nga Zvicra, janë në përputhje me ligjin.

Trupi gjykues, në vendiin e tij të shifruar 2C_867/2013  pranon faktin se pranon se kthimi në Kosovë për personin në fjalë është i vështirë. Por ai shton se përkundër faktit se ka jetuar shumë gjatë në Zvicër, dëbimi i tij arsyetohet, kur merren parasysh veprimet e përsëritura kundërligjore dhe deliktet që ai i ka kryer si dhe rreziku i përsëritjes së tyre.

Për personin e varur nga droga, të përfshirë në krime dhe në borxhe, i cili nuk ka mbaruar asnjë zanat dhe nuk ka punuar asnjëherë në mënyrë të rregullt, ekziston një interes me peshë nga aspekti policor dhe i sigurisë që të largohet nga Zvicra, thuhet veç tjerash në vendimin e Gjykatës Federale.

Ankesa e kosovarit se, si person i varur nga droga, në vendin e tij të prejardhjes mund të rrezikohej fizikisht dhe psikikisht, është kundërshtuar nga Gjykata. Hulumtimet që ka bërë ajo, kanë treguar se në Prishtinë ekziston mundësia e marrjes së metadonit  si dhe vazhdimi i trajtimit të tij me medikamente.