Tematike
Savary: “Partia socialiste ka lidhje shumë të forta me shqiptarët”
Géraldine Savary, nënkryetare e Partisë Socialiste dhe deputete në Dhomën e Kantoneve të Parlamentit të Zvicrës, në Bernë
Në intervistën e saj për albinfo.ch, nënkryetarja e Partisë Socialiste (SP/PS) Géraldine Savary flet për rrënjët e krizës së refugjatëve, për (pa)mundësinë e personave me prejardhje të huaj që të votojnë dhe të kandidohen, pastaj për ligjin e shtetësisë, lidhjet tashmë tradicionale që kanë shqiptarët e Zvicrës me partinë e saj etj.
albinfo.ch: Çfarë mendimi keni për krizën aktuale me refugjatët/emigrantët që po drejtohen drejt Evropës. Sipas jush, cilat janë zgjidhjet më të përshtatshme ndaj kësaj situate ?
Géraldine Savary: Kriza aktuale është e paparë, një nga më të këqijat që po përjetojmë që nga Lufta e Dytë Botërore. Emigrantët janë persona të persekutuar nga konflikte jashtëzakonisht të dhunshme. Këto luftëra janë pjesërisht rezultat i politikave perëndimore ndaj Afrikës dhe Lindjes së Mesme. Ne duhet të përgjigjemi njerëzisht dhe në mënyrë efektive. Nga njëra anë, në nivel evropian, duke shpërndarë refugjatët në vendin pritës ashtu si duhet. Nuk është e pranueshme që eksodi i këtyre popullsive të bjerë vetën në kurrizin e vendeve jugore dhe të lindjes të Evropës, nuk është e pranueshme që këto vende të ndërtojnë mure me tela me gjemba. Ne nuk duhet t`i shtojmë tragjedisë aktuale një tjetër tragjedi. Zvicra duhet të bëjë pjesën e saj ashtu siç e premtoi. Ne i kemi edhe kapacitetet njerëzore por dhe ato teknike për të akomoduar më shumë refugjatë. Në afat më të gjatë, ne duhet të sigurojmë që kërkuesit e azilit të munden të punojnë dhe të integrohen, kur kërkesa për azil u është pranuar. Së fundi, ne duhet të përshpejtojmë procedurat e përpunimit të dosjeve, siç kërkohet nga ligji i ri mbi azilin. Sistemi i Dublinit, i cili parashikon se refugjatët duhen kthyer në vendin e tyre të origjinës i ka treguar kufijtë e tij.
albinfo.ch: Cili është opinioni i partisë tuaj në lidhje me integrimin e të huajve në Zvicër? Si e shihni evolucionin e mëtejshëm të popullsisë me origjinë shqiptare?
Géraldine Savary: Partia Socialiste ka lidhje shumë të forta me komunitetin shqiptar. Shumë prej tyre janë edhe anëtarë të partisë tonë. Unë jam krenare dhe i falënderoj për besimin dhe angazhimin e tyre. Kjo ndoshta lidhet me faktin se Zvicra e njohu menjëherë pavarësinë e Kosovës, falë Ministres socialiste të asaj kohe, Micheline Calmy-Rey. Partia Socialiste është duke luftuar prej një kohë të gjatë për integrimin e të huajve, në nivel federal duke mbrojtur buxhetet në lidhje me integrimin, në nivel kantonal dhe komunal duke propozuar masa për pritjen dhe integrimin e të huajve (të drejta demokratike të përforcuara, edukimin për fëmijët dhe të rinjtë, kurse gjuhe, mbështetjen e komunitetit, etj.)
albinfo.ch: Çfarë pozicioni mban partia juaj mbi temën e rishikimit të ligjit për natyralizimin?
Géraldine Savary: Partia Socialiste po bën të pamundurën që nisma parlamentare e këshilltares socialiste Ada Marra për natyralizimin e lehtësuar të të huajve të gjeneratës së tretë të kalojë.
Në përgjithësi, parlamenti është i përbërë nga profile shumë të ngjashme deputetësh. Ata janë kryesisht meshkuj, pesëdhjetë vjeç e lartë, me profesione të lira dhe me origjine zvicerane. Demokracia zvicerane nuk mund të funksionojë pa personat me prejardhje nga emigracioni, gratë, të rinjtë. Ekziston një mungesë e vërtetë përfaqësimi.
albinfo.ch: A ka në gjirin e partisë tuaj kandidatë për zgjedhjet federale me origjinë ballkanike dhe në veçanti nga Kosova?
Géraldine Savary: Po, ka shumë. Më tepër në Zvicrën gjermano folëse.
albinfo.ch: Për mendimin tuaj, çfarë vendi zë rajoni i Ballkanit, në aspektin e politikës së jashtme të Zvicrës?
Géraldine Savary: Është një zonë e rëndësishme nga e cila ne kemi për të mësuar shumë gjëra. Ballkani është ura lidhëse e kulturave tona, evropiane, sllave, myslimane, të krishtera dhe ortodokse. Por është gjithashtu një hapësirë në zemër të Evropës që duhet të konsolidohet, paqësohet, që duhet të ketë një të ardhme. Zvicra merr pjesë në ruajtjen e paqes në rajon me trupat e KFOR-it. Në një afat më të gjatë, mendoj se është e nevojshme të rrisë shkëmbimet midis vendit tonë dhe Kosovës në veçanti. Diaspora shqiptare në Zvicër është shumë e rëndësishme. Shkëmbimet dhe partneritetet duhet të përforcohen.
albinfo.ch: Në kuadrin e partisë suaj keni një grup përgjegjës për çështjet e emigracionit dhe forume të ngjashme në seksionet kantonale. Cili është roli i tyre ?
Géraldine Savary: Roli i tyre është të sjellin kërkesat e socialistëve me prejardhje nga emigracioni në partinë tonë. Dhe gjithashtu t’ju tregojnë komuniteteve të huaja se Partia Socialiste është një grup i angazhuar për respektimin e të drejtave themelore dhe e të drejtave të emigrantëve në veçanti.
albinfo.ch: Historikisht ka më shumë kandidatë me origjine ballkanike në zgjedhjet komunale dhe kantonale. A keni kandidatë të rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme federale?
Géraldine Savary: Njëri nga shpjegimet është ekzistimi i ligjit që u jep të huajve drejtën e votimit dhe të zgjedhjes në nivelin komunal, ndonjëherë edhe kantonal. Por për fat të keq e drejta e votimit në nivel federal nuk është e mundur. Personat me origjinë ballkanike, sidomos ata që kanë ardhur gjatë viteve 80 – 90, nuk janë këtu prej një kohë të mjaftueshme që të njihen edhe te zgjidhen në zgjedhje të vështira si ato federale. Unë jam e bindur se e gjithë kjo situatë do të ndryshojë. Të zgjedhurit me origjinë ballkanike të komunave dhe të kantoneve gradualisht do të arrijnë deri te funksionet dhe përgjegjësitë kombëtare. E vërteta është se zgjedhjet federale janë një lloje gare me pengesa për të gjithë !
Lidhjet e PS-së me shqiptarët, nga koha e Calmy-Ry dhe më parë
Partia Socialiste ka lidhje shumë të forta me komunitetin shqiptar. Shumë prej tyre janë edhe anëtarë të partisë tonë. Unë jam krenare dhe i falënderoj për besimin dhe angazhimin e tyre. Kjo ndoshta lidhet me faktin se Zvicra e njohu menjëherë pavarësinë e Kosovës, falë Ministres socialiste të asaj kohe, Micheline Calmy-Rey. Partia Socialiste është duke luftuar prej një kohë të gjatë për integrimin e të huajve, në nivel federal duke mbrojtur buxhetet në lidhje me integrimin, në nivel kantonal dhe komunal duke propozuar masa për pritjen dhe integrimin e të huajve
Zvicra mund të strehojë më shumë refugjatë
Zvicra duhet të bëjë pjesën e saj ashtu siç e premtoi. Ne i kemi edhe kapacitetet njerëzore por dhe ato teknike për të akomoduar më shumë refugjatë. Në afat më të gjatë, ne duhet të sigurojmë që kërkuesit e azilit të munden të punojnë dhe të integrohen, kur kërkesa për azil u është pranuar. Së fundi, ne duhet të përshpejtojmë procedurat e përpunimit të dosjeve, siç kërkohet nga ligji i ri mbi azilin. Sistemi i Dublinit, i cili parashikon se refugjatët duhen kthyer në vendin e tyre të origjinës i ka treguar kufijtë e tij
E-Diaspora
-
Nazmi Mehmetaj, një histori suksesi që lidh Kosovën dhe Zvicrën “Kudo që të shkoni, shtëpia juaj vjen nga Kosova” – Një slogan që po pushton Evropën...
-
Gjermania e Zvicra prijnë me numrin e të regjistruarve për votim nga diaspora
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Fishekzjarret prodhojnë deri në 400 tonë pluhur të imët Sipas Zyrës Federale për Mjedisin, shfaqjet e fishekzjarreve, të tilla si ato të mbajtura në 1...
-
Ekonomia zvicerane shënon rënie
-
Nazmi Mehmetaj, një histori suksesi që lidh Kosovën dhe Zvicrën
-
Zvicra do të kryesojë OSBE-në në vitin 2026
-
Një trend Tiktok që shkakton probleme te të rinjtë