Kosova

Parlamenti britanik miraton mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

Dhoma e Ulët e Parlamentit të Britanisë së Madhe ka miratuar sot një mocion për Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën të propozuar nga deputetja Alicia Kearns, me të cilën Britania mbështet integritetin territorial të Kosovës dhe dënon sulmin në Banjskë.

Mocioni u propozua nga Kearns, pas një debati që u zhvillua mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

“Kërkoj që kjo Dhomë të lëvizë në njohjen e situatës akute të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, të mbështesë integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, të dënojë sulmin e militantëve nacionalistë serbë në Banjska në Kosovë më 24 shtator 2023”, thuhet në mocionin e miratuar në Parlamentin britanik, transmeton albinfo.ch.

Tutje në mocionin e miratuar kërkohet të mbështetet autoriteti i Gjykatës Kushtetuese në Bosnjë e Hercegovinë dhe të dënohet ndërhyrjen ruse në Ballkan.

“Parlamenti vëren me shqetësim retorikën politike irredentiste proruse dhe proserbe në Mal të Zi dhe i kërkon qeverisë të rrisë angazhimin e saj me partnerët rajonalë dhe aleatët ndërkombëtarë për të përmirësuar peizazhin e sigurisë të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në mocion.

“E kënaqur që Parlamenti sot njëzëri ra dakord me këtë mocion për Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Kearns në rrjetin social “Twitter”.

Duke folur për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, Kearns ka përmendur vrasjen e policit Afrim Bunjaku e sasinë dhe armëve të sekuestruara.

“Këto armë nuk janë tipike për një grup militantësh dhe kjo ngre pyetjen: Kush po i mbështeste sulmuesit e Banjskës dhe pse? Përgjigjja mund të jetë në videot, të cilat u publikuan më pas. Treguan militantët që trajnoheshin në një bazë ushtarake serbe katër ditë para sulmit. Shumica e armëve kishin numra serikë të njëjtë me ato që posedon ushtria serbe. Kam kërkuar disa herë këtu që qeveria të lëshojë një vlerësim nëse shteti serb ofroi mbështetje strategjike dhe materiale për sulmin në Banjskë”, ka thënë ajo, raporton RTK.

Tutje ajo ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa ka deklaruar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë çështje diskutimit.

“Disa ndërkombëtarë kanë thënë se Kosova duhet të pranohet në KiE vetëm nëse krijon Asociacionin. Britania e Madhe duhet ta kundërshtojë këtë. Derisa unë nuk dua një tjetër Republikë Serbe në Ballkanin Perëndimor, një Asociacion do të themelohet si pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd. Por, nuk duhet të nxitohet dhe nuk mund të vihet nën presion të jashtëm”, ka thënë ndër të tjera ajo, ndërsa ka kërkuar nga Qeveria britanike që të punojë me partnerët e NATO-s për të siguruar që KFOR-it t’i jepet mbështetja dhe detyrat që i nevojitet për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Kosovë.