Lajme
Paratë e kursyera në pandemi, nuk kanë ku t’i shpenzojnë evropianët
Vendet evropiane shpresonin që qytetarët e tyre më të pasur do të fillonin të shpenzonin paratë që i kishin kursyer gjatë pandemisë dhe në këtë mënyrë do të nxitej një rimëkëmbje ekonomike e rajonit për shkak të rritjes së konsumit, transmeton albinfo.ch.
Mirëpo, rritja e rasteve me COVID-19 dhe zvarritjet në furnizimin me vaksina, e kanë bërë të paqartë nëse, apo kur, mund të ndodhë një valë shumë e nevojshme e shpenzimeve nga kursimet private.
Një shembull i tillë është Daniel Krupka. Ai është drejtor menaxhues i një institucioni studimor teknologjik me qendër në Berlin. Pasi, Gjermania të hënën zgjati masat e izolimit, ai anuloi një pushim familjar një javor në një ishull në Detit Baltik, të rezervuar për në muajin prill.
“Mbase do të kishim shpenzuar deri në 2,000 euro, por kjo nuk do të ndodhë tani”, tha Krupka për agjencinë Reuters, përcjell albinfo.ch.
“Ndoshta më vonë gjatë këtij viti ne mund të shkojmë atje. Por, unë gjithashtu jam duke menduar që t’i përdorë paratë për të ulur nivelin e kredisë në bankë”, tha ai.
Pandemia ka kërcënuar ose shkatërruar jetesën e miliona njerëzve. Ata që kanë qenë më me fat dhe kanë punuar, në shumë raste kanë shtuar vlerën e kursimeve të tyre, pasi masat e kufizimeve të vendosura nga shtetet u kanë pamundësuar që t’i shpenzojnë paratë.
Në Gjermani kursimet u rritën në një rekord 16.2% vitin e kaluar krahasuar me 10.9% në vitin 2019. Në Francë, kjo normë ishte 22.2% në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Edhe në Itali dhe Spanjë niveli i kursimeve është rritur dukshëm.
Ekspertët dhe politikëbërësit kishin shpresuar që kjo rezervë e kursimeve të imponuara do të fillojë të qarkullojë në ekonominë e euro zonës, për të mundësuar një rimëkëmbje lokale ekonomike, e cila me gjasë pritet të mbetet shumë prapa asaj të Shteteve të Bashkuara.
Konsumi i humbur
Këto shpresa janë zbehur pasi dy ekonomitë më të mëdha të euro zonës, Franca dhe Gjermania, vendosën sërish kufizime kundër përhapjes së koronavirusit.
Ministria e Financave e Francës beson se masat e reja njëmujore të kufizimit që prekin dyqanet jo-thelbësore me pakicë në Paris dhe pjesë të veriut do të kenë ndikim minimal në ekonomi.
Por, ekonomistët e sektorit privat janë më pak optimistë.
“Kjo do të varet nga kthimi i besimit të familjeve franceze, suksesi i fushatës së vaksinimit dhe zgjerimi i mbështetjes shtetërore (ekonomike)”, tha Selin Ozyurt nga Euler Hermes, një kompani për sigurimin e kredive.
Kjo kompani ka thënë se rritja ekonomike në Francë për vitin 2021 të jetë 5.4%, një shifër prej 0.5% më e ulët se parashikimet.
Në Gjermani, Bundesbanka në dhjetor parashikoi që ekonomia do të rritet 3% këtë vit bazuar në supozimin se masat e kontrollit do të liroheshin në pranverë.
“Pandemia dhe masat e izolimit do të rëndojnë më shumë në ekonominë gjermane ndoshta edhe pak më gjatë sesa prisnim”, i tha Reuters, ekonomisti kryesor në Bundesbanka, Jens Ulbrich.
Ulbrich thotë se konsumi përsëri do të kthehet në ekonomi sapo të liroheshin masat e kufizimit. Por, ekspertë të tjerë thonë se ekzistojnë arsye që shpenzimet e njerëzve nuk do të fillojnë aq shpejt sa pritet.
“Disa blerje të produkteve të caktuara nuk mund të ndodhin përsëri. Kushdo që gjatë izolimit të parë ka blerë një televizion të ri të madh për një kinema në shtëpi, ose një kuzhinë të teknologjisë së lartë për të gatuar ushqime të këndshme në shtëpi, nuk do ta bëjë këtë përsëri vetëm pas gjashtë muajsh”, tha Rolf Buerkl nga Institutit GfK, një organizatë që merret me hulumtime mujore të konsumatorëve.
Sipas tij e njëjta vlen edhe për shërbime të caktuara.
“Ju sigurisht se nuk do të shkoni në floktar më shpesh në mënyrë që të kompensoni të gjitha prerjet që nuk i keni bërë gjatë izolimit. Kështu që disa shpenzime të konsumatorëve thjesht humbin në planin afatgjatë”, tha ai.
Banka e investimeve “Barclays Economics Research” ka qenë gjithashtu e rezervuar në parashikime.
Ajo tha se kursimet e tepërta mbahen nga personat me të ardhura të larta dhe është ende një pikëpyetje se si pandemia do të transformojë sjelljen e konsumatorëve në planin afatgjatë.
“Ne nuk mendojmë se deri në fund të vitit 2022 konsumi privat do të kthehet në nivelet e para krizës së pandemisë”, tha Barclays Economics Research.
Pyetja kryesore tani është se sa do të zgjasin kufizimet e vendosura nga shtetet. Koha e këtyre kufizimeve varet nga mundësia e autoriteteve të Evropës për të vënë nën kontroll përhapjen e virusit me anë të vaksinimit dhe masave të tjera.
Kreu i ekonomistëve në Bankën Qendrore Evropiane, Philip Lane, ka thënë se parashikimi për një zgjatje të masave të izolimit edhe në tremujorin e dytë të vitit 2021 është marrë parasysh në vlerësimet për rritje ekonomike prej 4% në zonën e euros këtë vit.
Ai i tha mediumit CNBC se Bashkimi Evropian synon që përmes vaksinimit të fillojë të vendosë nën kontroll virusin dhe kështu të mundësohet një hapje progresive e ekonomisë së Eurozonës.
“Tani po kalojmë në tremujorin e dytë. Do të jetë një tremujor i gjatë”, tha ai.
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
84 franga në ditë, ku shkojnë paratë që paguani për biletën e skive? Mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, zviceranët shkojnë në pistat e skive. Por ku shkojnë paratë...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik, por bëjnë presion mbi industrinë e hoteleve dhe restoranteve
-
Radha e trafikut arrin 10 km në tunelin Gotthard në udhëtimet pas Krishtlindjeve
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje