Kosova

Parashikohet rritje ekonomike e Kosovës për vitin 2023

Banka Botërore parashikon një rritje ekonomike në Kosovë për 3.7 për qind.

Referuar raportit të Bankës Botërore, thuhet se Kosova do të ketë një rritje ekonomike për 3.7 për qind, përcjell albinfo.ch.

“Rritja e BPV-së pritet të ketë një përshpejtim modest, duke arritur në 3.7 për qind në vitin 2023. Kontributi i flukseve të diasporës në konsumin privat dhe eksportit të shërbimeve pritet të pakësohet për shkak të ngadalësimit të pritur të rritjes ekonomike në vendet e BE-së. Ngjashëm, kontributi i transfereve qeveritare në konsumin privat pritet po ashtu të ngadalësohet”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Në raport theksohet se gjatë vitit të kaluar u shënua një rritje më e lehtë ekonomike prej 3.5 për qind, e shtyrë nga eksportet dhe konsumi privat.

”Ky i fundit vazhdon të tregojë qëndrueshmëri përkundër erozionit të të ardhurave të disponueshme nga inflacioni”, thuhet në raport.

Ndërkohë përmendet  inflacioni si determinues i rrjedhës së ekonomisë kosovare.

”Përkeqësimi i kushteve tregtare nxitur nga pushtimi rus i Ukrainës dhe kriza e ndërlidhur energjetike ndikuan në aktivitetin ekonomik në Kosovë gjatë vitit 2022, por ekonomia shfaqi shenja të qëndrueshmërisë”, thuhet ndër tjerash në raport.

”Pozita fiskale vazhdoi të përmirësohej, udhëhequr nga performanca e vazhdueshme pozitive e të ardhurave publike kundrejt efekteve të inflacionit dhe përfitimeve nga rritja e formalizimit, si dhe nga nënshpenzimi i investimeve kapitale“.

”Perspektiva mbetet pozitive, por rreziqet për rritje më ulët mbeten të larta. Presionet mund të rriten në rast të përshpejtimit të inflacionit dhe ngadalësimit të rritjes së ekonomive të BE-së përtej pritjeve të tanishme. Në këtë kontekst, është qenësore të ruhen rezerva të mjaftueshme për t’iu përgjigjur ndryshimeve të papritura në mjedisin ekonomik”.

Po ashtu janë dhënë shifra të viteve të kaluara, si dhe parashikimet deri në vitin 2025.