Lajme

Papunësia në Zvicër bie në 1.9%: më e ulëta prej më shumë se 20 vjetësh

Sipas SECO-s, në qendrat rajonale të punësimit (RAV) ishin pothuajse 90,000 të papunë në fund të shtatorit 2022

Siç shkruan Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO) në një komunikatë për media, shkalla e papunësisë në Zvicër ka rënë edhe më shumë, transmeton albinfo.ch. Ajo e raporton këtë si pjesë të statistikave më të reja të papunësisë.

Në fund të shtatorit, në qendrat rajonale të punësimit 8RAV) ishin të regjistruar gati 90 mijë të papunë.

Krahasuar me muajin e mëparshëm, gushtin, ka mbi 1800 më pak persona që kërkojnë punë, shkruan 20minuten.ch. Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, papunësia ka rënë madje me 30,768 persona (-25,6%).

Siç tregon një statistikë e amstat.ch, papunësia në Zvicër është më e ulët se sa ka qenë për mbi 20 vjet.

Për herë të fundit në këtë nivel të ulët ajo ishte në tetor të vitit 2001, përcjell albinfo.ch. Edhe papunësia e të rinjve po bie. Pak më shumë se 9000 të rinj 15-24 vjeç janë aktualisht në kërkim të një pune.

Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kjo korrespondon me një rënie prej 3,185 personash (-25,4%).