Integrimi
“Paparat” ndihmon etërit t`i njohin më mirë fëmijët e tyre
Nexhat Ballazhi dhe Umberto Castra shpalosin për albinfo.ch synimet e projektit “Paparat”, i cili u ofron mbështetje baballarëve me prejardhje të huaj në qytetin e të Bernës
“Paparat” është një fjalëformim i përbërë nga fjalët: “Papa” që është baba dhe “Rat” që mund të përkthehet si këshill ose kuvend. Pra “kuvendi i baballarëve” ose i etërve mban emrin një projekt që është iniciuar prej disa vitesh në qytetin e Bernës, i cili ka për synim të sensibilizojë etërit për të qenë më të angazhuar në përkujdesjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre. Duke qenë se janë ndër komunitetet më të mëdha të huaja në Bernë dhe në gjithë Zvicrën, edhe shqiptarët janë gjithsesi të përfshirë në këtë projekt.
“Duke u nisur nga ajo se nënat janë ato që tradicionalisht janë më shumë më kontakt me fëmijët, në Zvicër ka shumë projekte për të ndihmuar nënat në qasjen ndaj fëmijëve të tyre. Por, projekti “Paparat” është nisur nga një premisë tjetër”, thotë Nexhat Ballazhi, njëri ndër këshilltarët e projektit në fjalë. Është konstatuar se sidomos në komunitetet e huaja këtu, roli i babait ka më shumë peshë prandaj bartësit e projektit kanë provuar që t`i trajnojnë etërit për t`u përballur me problemet e fëmijëve të tyre. Në fokus janë problemet e fëmijëve të moshës së pubertetit, gjegjësisht nga mosha 12 vjeçe e lart”, thotë Ballazhi për albinfo.ch. Kështu, është zgjedhur për secilin komunitet nga një person që është trajnuar përmes një kursi në mënyrë që ai pastaj të punojë me prindërit e komunitetit përkatës. Unë jam përgjegjës për komunitetin shqiptar”, sqaron ai.
Ai thotë se në trajnimin e bërë kanë mësuar shumë lidhur me qasjen ndaj fëmijëve në moshën kritike, çfarë është ajo e pubertetit. “Ne mendojmë se i dimë por në fakt ka shumë mënyra e metoda që duhen mësuar për të pasur sukses në këtë qasje. Prindërit shqiptarë, sidomos baballarët, zakonisht janë të zënë me punë dhe konsiderojnë se mjafton fakti se sjellin para në shtëpi ndërsa edukimin e fëmijëve, kultivimin e kontakteve më të afërta me ta, e neglizhojnë. Pikërisht këto janë detyra të neve, etërve, të cilat duhet t`i adresojmë më mirë”, vazhdon bashkëbiseduesi ynë.
- Si t`i bëjmë baballarët më të hapur ndaj fëmijëve!
Problemet për të cilat jemi më të orientuar të përballemi janë ato me agresivitetin që shprehet te adoleshentët si pasojë e shumë faktorëve, pastaj problemet me varësinë nga droga, alkooli, duhani etj. Ne i këshillojmë prindërit që të sillen me maturi ndaj fëmijëve sidomos ndaj atyre të moshës së përmendur për shkak të ndjeshmërisë së tyre. I realizojmë nga dy takime në vit me nga tetë prindër, në ambientet për të cilat merremi vesh, si në ndonjë lokal apo në shtëpi të ndonjërit prej pjesëmarrësve. Mund të them se, duke pasur parasysh mbylljen që zakonisht i karakterizon baballarët shqiptarë, kemi arritur mjaft mirë që t`i hapim ata dhe t`i vetëdijësojmë për rolin që e kanë në raport me fëmijët, thotë veç tjerash Ballazhi.
Përgjegjësi i projektit, Castra, pedagog dhe psikolog e prezanton për albinfo.ch projektin nga perspektiva e tij prej profesionisti.
“Mungesa e projekteve për etërit ka qenë arsyeja që ne para rreth tri vitesh e kemi krijuar “Paparat”-in, me idenë se babai për fëmijën ka një rol qendror dhe ai duhet të veprojë krahas nënës në edukimin po edhe në preventivën e dukurive negative që rrezikojnë fëmijët e tij. Kështu, ne kemi trajnuar fillimisht një grup prej 12 baballarësh të cilët veprojnë si moderatorë. Me ta kemi trajtuar tema të ndryshme lidhur me edukimin e fëmijëve. Pas trajnimit, etërit në fjalë i “hedhim në aksion” në rrethet e tyre sociale, gjegjësisht edhe në komunitetet e huaja ku bëjnë pjesë ata. Pasi të formojnë një grup prej një numri baballarësh të interesuar, ata mblidhen në ndonjë hapësirë që e zgjedhin, në ndonjë lokal klubi apo çfarëdoqoftë. Aty, i zgjedhuri si moderator ua komunikon të tjerëve njohuritë që ka fituar në kurs dhe hyn në debat me ta duke këmbyer përvojat gjegjësisht duke folur për problemet e përmendura më lart.
- Një projekt pionier
Nga përvoja e deritashme mund të them se kjo qasje ka ngjallur interesim të konsiderueshëm te prindërit të cilëve u dedikohet. Po ashtu duhet thënë se ky është një projekt pionier në këtë drejtim në Zvicër ndërsa edhe në vendet tjera evropiane diçka e tillë është në fillimet e saj. Por, megjithatë, nuk është se ne kemi gjetur ndonjë recept që do të ishte i përdorshëm në të gjitha rastet. Kjo, veç tjerash edhe për shkakun se punohet paralelisht me 12 komunitete dhe ato sigurisht ndryshojnë nga njëri tjetri. Të ndryshme e kanë qasjen prindërit ta zëmë nga Portugalia, në krahasim me ata nga Kosova apo nga Italia etj.
Deri tash ne e sigurojmë vazhdimin e projektit për periudha njëvjeçare. Secilin vit trajnojmë etër të tjerë që do të vazhdojnë punën. Ne përpiqemi që në mënyrë periodike të evaluojmë punën e tyre me prindër. Në këtë drejtim aktualisht po bashkëpunojmë me Universitetin e Bernës. Ne shpresojmë se me kohë puna që bën “Paparat” do të shndërrohet në një ofertë normale, të përhershme, siç ekzistojnë shumë oferta të ngjashme në shoqërinë e sotme. Kjo metodë që kemi zgjedhur ne, na e mundëson qasjen ndaj baballarëve përmes njerëzve nga komunitetet përkatëse të huaja. Ndryshe kjo qasje do të na mungonte, thotë Castra.
- Baballarët e sotëm nuk janë si ata të djeshmit
Në përgjithësi jemi dëshmitarë të një ndryshimi të madh të rolit të etërve nga gjenerata në gjeneratë. “Ajo çfarë ishte karakteristikë për një baba të gjeneratës sime nuk është sot për mua, si baba i fëmijëve të mi. Në kohën e sotme babai ka më shumë ndjeshmëri dhe më shumë detyrime ndaj fëmijëve. Roli i babait sot nuk është më vetëm ai i një personi që sjell para në shtëpi. Në veçanti baballarët nga komunitetet e huaja mjerisht punojnë tepër shumë, aq sa nuk u mbetet më kohë dhe energji për t`u marrë me fëmijët e tyre. Unë e kuptoj se ata në instancën e fundit punojnë dhe sakrifikojnë për fëmijët e tyre por mjerisht ajo që vuan, është kontakti me fëmijët. Ata duhet të kërkojnë dialogun me ta. Dhe problemi i mungesës së këtij dialogu nuk është prezent vetëm te të huajt, ai është edhe te vendësit, zviceranët, vë re Castra.
“Problemet që kanë prindërit lidhur me sjelljet e fëmijëve të tyre, ta zëmë në moshën e pubertetit janë të ngjashme: ata qëndrojnë me orë të tëra para kompjuterit, duke luajtur në internet ose ngjashëm dhe duke lënë anash mësimet. Edhe varësia nga droga, duhani, alkooli, lojërat e fatit po ashtu bëjnë pjesë në këtë kuadër. “Por ajo që e vështirëson situatën e prindërve me prejardhje nga jashtë dhe e bën atë më të problematike është se ata, për ndryshim nga zviceranët, kanë vështirësi gjuhësore dhe kulturore. Dhe kjo e bën të rëndësishëm projektin tonë.
Disa probleme nuk mund të adresohen në gjuhë të huaj
Ajo që e vështirëson situatën e prindërve me prejardhje nga jashtë dhe e bën atë më të problematike është se ata, për ndryshim nga zviceranët, kanë vështirësi gjuhësore dhe kulturore. Dhe kjo e bën të rëndësishëm projektin tonë. Përderisa prindi zviceran gjen qasje të lehtë me mjekët, pedagogët, psikologët, këtë qasje e kanë shumë të vështirë ta kenë të huajt. Kjo mund të shpjegohet edhe kështu: për disa probleme të caktuara mund të flitet qartë vetëm në gjuhën amtare. Këtë ndjenjë e kam madje edhe unë, i rritur në familje italiane, në Zvicër”, thotë në fund z. Castra, i cili prandaj apelon te prindërit me prejardhje të huaj dhe në veçanti te ata shqiptarë, që të shfrytëzojnë ofertën e projektit të drejtuar nga ai.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për partneritet të fuqishëm Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në forumin Ekonomik Zvicër-Kosovë 2024, ku ishte i ftuar...
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
Jeta në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025 Bazeli verior i Zvicrës do të mbajë një referendum të dielën për milionat e kërkuara për...
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Gjykata Federale: Personat mbipeshë tani mund të marrin pension IV
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur