Shkurt.ch

Papagalli që dinte adresën e tij të saktë

Se nuk ndodh vetëm në filma që papagajt të flasin, e ka dëshmuar një ekzemplar i dalluar i këtij lloji shpendësh në Japoni. Edhe pse ishte larguar nga familja të cilës i takonte, papagalli megjithatë nuk humbi. Ai ia diktoi policëve adresën e saktë të shtëpisë së zonjës së tij, në qytetin Sagamihara, në perëndim të Tokios.

Pasi ishte vendosur para një hoteli, i bie në sy policisë e cila e merr me vete në stacionin policor. Dhe atje befasohen këndshëm me aftësinë e çuditshme të tij për të folur. Ai u kishte diktuar atyre madje tri herë rresht emrin e qytetit, lagjes dhe adresën e saktë, ka deklaruar më vonë një zëdhënës i policisë. 

Dhe, policëve sigurisht nuk u ka mbetur gjë tjetër pos që ta kthejnë papagallin në shtëpinë e zonjës së tij, në adresën që ua kishte dhënë. E zonja, e gëzuar shumë për kthimin e tij kishte thënë se më parë i kishte ikur një papagall i cili nuk ishte kthyer më kurrë.

Për të parandaluar një gjë të tillë ajo kishte marrë masa, duke ia mësuar zogut të preferuar adresën e shtëpisë.