Lajme
Maqedoni: Pandemia uli vaksinimin e rregullt te fëmijët
Mjekët pediatër në Maqedoninë e Veriut kanë ngritur shqetësime për shkak të shkallës së ulët të vaksinimit të fëmijëve me vaksinat e rregullta, gjegjësisht vaksinat MMR kundër fruthit, rubeolës dhe shytave, shtyrje kjo e cila vjen si rrjedhojë e pandemisë, përkatësisht masave për frenimin e koronavirusit.
“Situata që solli pandemia COVID-19 e bëri të veten. Shkollat nuk punonin, as kopshtet e fëmijëve dhe nuk kishte mundësi si të thirreshin fëmijët për t’i vaksinuar. Njëherësh prindërit kishin frikë nga infeksioni dhe në të njëjtën kohë kishim dhe masat për frenimin e virusit që të mos dilej nga shtëpia. E gjithë kjo ndikoi në uljen e përfshirjes së vaksinimit te fëmijëve”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Bekim Ismaili, kryetar i Shoqatës së Mjekëve Amë.
Për sigurimin e imunitetit kolektiv nevojitet që të vaksinohen më shumë 95 për qind e fëmijëve me vaksinat MMR kundër fruthit, rubeolës dhe shytave.
Shpallet epidemia e fruthit në Maqedoninë e Veriut
Por, në bazë të të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut, gjatë vitit 2020 vetëm 63 për qind e fëmijëve e kanë marrë dozën e parë të kësaj vaksine, si dhe 68 për qind e tyre janë vaksinuar me dozën dytë.
Vitin e kaluar, më 2021, shkalla e vaksinimit të fëmijëve me dozën e parë për fruthin dhe rubeolën ka arritur në 70 për qind. Ndërkaq me dozën e dytë janë vaksinuar 80.4 për qind e fëmijëve, që është larg përqindjes së nevojshme për arritjen e imunitetit kolektiv.
Nivel më i ulët i vaksinimit të fëmijëve me vaksinat e rregullta është shënuar në Kumanovë me rrethinë, gjithsej nën 50 për qind, përderisa mbulim më i lartë gjatë vitit 2021 me dozën e parë të MMR-së është shënuar në Prilep me 98 për qind dhe Koçan me 95.5 për qind.
Kosova, ndër vendet prijëse në botë që i kushton rëndësi vaksinimit
Mjekët bëjnë thirrje që të përshpejtohet kjo dinamikë, në të kundërtën ekziston rrezik real nga një pandemi e re.
Mjekja pediatre Sonja Ralleva, e cila është pjesë e ekipit për vaksinimin e fëmijëve, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të rritet përfshirja e fëmijëve të vaksinuar kundër fruthit dhe rubeolës, në të kundërtën, shton ajo, Maqedonia e Veriut rrezikon të përballet me një pandemi të re të sëmundjeve infektive si rrjedhojë e mospërfilljes së kalendarit të detyrueshëm të imunizimit të fëmijëve.
“Kërcënimi, në bazë të numrave është më se real pasi kemi të bëjmë me rënien e shkallës së imunitetit kolektiv me vaksinat MMR kundër fruthit, rubeolës dhe shytave. Është logjike që të pritet pandemi e re nëse nuk e korrigjojmë këtë gjë dhe nuk e ngritim nivelin e imunizimit”, thotë Ralleva.
Për nivelin e ulët të vaksinimit të rregullt të fëmijëve krahas kufizimit të lëvizjes, ka ndikuar dhe mungesa e fushatës për realizimin e së njëjtës, ka theksuar ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
Shumë fëmijë nuk u vaksinuan vitin e kaluar
“Tendenca jonë është ta arrijmë mbulimin e rekomanduar prej 95 për qind dhe në bashkëpunim me Fondin për Sigurim Shëndetësor dhe qendrat shëndetësore të fillojmë me aktivitete për intensifikimin e punës në terren për thirrjen për vaksinim të fëmijëve, që e kanë lëshuar marrjen e vaksinës. Fushata parashikon, gjithashtu dërgimin e një mesazhi të unifikuar SMS për prindërit që e kanë lëshuar vaksinimin e fëmijëve të tyre, si dhe forcimin e rrjetit rajonal të koordinatorëve nga qendrat e imunizimit për t’i forcuar aktivitetet në terren dhe monitorimin dhe zbulimin aktiv të fëmijëve që nuk e kanë marrë vaksinën në kohë të duhur”, ka deklaruar për mediat ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, me rastin e Javës Botërore të Imunizimit.
Ai njëherësh ka hedhur poshtë të gjitha dyshimet për sa i përket cilësisë së vaksinave duke theksuar se Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut në vazhdimësi ofron vaksina nga prodhues të njohur botërorë. Këto vaksina detyrimisht i plotësojnë kriteret e rrepta të cilësisë, përkatësisht janë të regjistruara nga MALMED dhe pajisen me certifikatë cilësie të lëshuar nga prodhuesi dhe me certifikatë nga një laborator referues për kontrollin e cilësisë së tyre.
Në këtë drejtim, nga Oda e Mjekëve thonë se duhet mbështetur mjekët ta bëjnë fushatën pasi qytetarët më së shumti kanë besim te ta.
“Duhet të mbështeten mjekët amë që punojnë me fëmijët, të iniciohen fushata në media dhe Ministria e Shëndetësisë të kyçet gjithashtu që një herë t’u sqarohet prindërve se vaksinat janë të sigurta dhe pastaj nevojitet dhe një riorganizim i ri në punktet e shtëpive të shëndetit për një angazhim më dinamik i vaksinimit të fëmijëve që të arrihet hapi i humbur”, thotë Bekim Ismaili nga Shoqata e Mjekëve Amë.
Mjekët pediatër në Maqedoninë e Veriut u kanë bërë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre si proces shumë i rëndësishëm pasi komplikimet nga fruthi mund të nxisin inflamacion të veshit të mesëm dhe pneumonisë dhe në rastin më të keq virusi i fruthit mund të nxisë dhe meningjitin, i cili mund të çojë në dëmtime të rënda të trurit dhe paaftësi mendore, apo edhe humbjen e jetës.
Kosova, ndër vendet që e mban nën kontroll mospërhapjen e fruthit
Ministria e Shëndetësisë nuk planifikon aplikimin e gjobave për prindërit, të cilët nuk i vaksinojnë fëmijët e tyre. Ndryshe para pandemisë me COVID-19, në kopshtet për fëmijë pranoheshin vetëm ata fëmijë që kishin certifikatë për marrjen e rregullt të të gjitha vaksinave ku bën pjesë edhe ajo kundër fruthit./REL
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?