Lajme

Pandemia shkakton rënie të numrit të azilkërkuesve në Zvicër

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, Zvicra që nga 25 marsi ka kufizuar hyrjen e të gjithë shtetasve të shteteve anëtare të Shengenit, me përjashtim të Principatës së Lihtenshtajnit

Numri i kërkesave për azil në tremujorin e parë të vitit 2020 ka qenë për 11 për qind më i vogël, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Deri më tani në këtë vit në Zvicër janë bërë 3278 kërkesa azili. Këtë njoftim e bën Sekretariati i Shtetit për Migracion (SEM), shkruan srf.ch.

Sipas SEM, në muajin mars 2020 numri i kërkesave të reja për azil ka qenë për 10 për qind më i vogël se ai në muajin shkurt të po këtij viti.

Kështu, në mars janë bërë 963 kërkesa për azil, bën të ditur SEM.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, Zvicra që nga 25 marsi ka kufizuar hyrjen e të gjithë shtetasve të shteteve anëtare të Shengenit, me përjashtim të Principatës së Lihtenshtajnit, transmeton albinfo.ch. Po kështu, janë anuluar të gjitha pranimdorëzimet e azilkërkuesve mbi bazë të marrëveshjes se Dublinit.

Në mars, Zvicrën e kanë lëshuar në mënyrë të kontrolluar ose janë dëbuar, 302 persona. Zvicra ka kërkuar nga shtetet tjera të Dublinit pranimin e 321 personave dhe vetëm 51 prej tyre janë pranuar.

Nga ana tjetër, Zvicrës nga shtetet tjera të Dublinit i është kërkuar pranimi i 389 personave ndërsa ajo ka pranuar 63 prej tyre, përcjell albinfo.ch. Në të dyja rastet bëhet fjalë për periudhën para 25 marsit, kur, siç u theksua më lart, Zvicra vendosi masën e ndalimit të hyrjes së të huajve.