Integrimi

Panairi i librit në kështjellën zvicerane, flet edhe shqip

Më 11 qershor, në Cressier (Neuchâtel), drejtuesi i shtëpisë botuese i-liredition jeunesse, Ilir Xheladini ka organizuar një panair libri, ku u prezantuan edhe libra shqip

Tashmë kështjellat janë vend vizitash për historinë e tyre për arkitektonikën, gjithashtu për ambientin që i rrethon. Dikur ishin mjete mbrojtëse kundrejt armikut, sot mezi presim t’i vizitojmë. Por mund të jetë dhe ndryshe.

Të shtunën, më 11 qershor, për herë të parë në Cressier të Neuchâtel-lit, kanton i Zvicrës, drejtuesi i shtëpisë botuese i-liredition jeunesse, Ilir Xheladini, ka organizuar me mbështetjen e komunës një panair libri, ku gjithsecili mund të kënaqej me atraksionin e bukurisë së natyrës zvicerane, arkitekturës së bukur dhe të veçantë të kështjellës me një panair libri.

Libri si media klasike ndërthuret aq bukur me kështjellat dhe pse të mos krijohet diçka unike dhe risi për libërdashësit dhe pse organizimi të mos bëhej nga një shqiptar që dëshiron të promovojë edhe shqip mënyrën e tij të të shkruarit, të të ideuarit dhe të përcjelljes së të rejave në fushën e letërsisë.

Për këto arsye albinfo.ch ka realizuar një intervistë të shkurtër me Iliriin, për të kuptuar se çfarë ka më në brendësi të këtij panairi e ku qëndron thelbi, mesazhi.

Ilir Xheladini, drejtues i shtëpisë botuese i-liredition jeunesse, organizator i panairit

Albinfo.ch: Është hera e parë që po organizohet diçka e tillë?

Ilir Xheladini: Po, kjo është hera e parë që organizohet një edicion i tillë. Kemi byronë këtu në këtë fshat, dhe me ndihmën e komunës që na ka lejuar hapësirën në kështjellë, 33 autorë zviceranë që vijnë nga të gjitha kantonet e Zvicrës frankofone, pranuan ftesën time. Bëhet fjalë për lexues, ilustrues si edhe arkeologë që prezantojnë dru qysh 4 mijë vjet P.E.S, e cila është një ekspozitë shumë interesante.

Albinfo.ch: A mendoni se do të jetë aktivitet që do të organizohet çdo vit, apo…?

Ilir Xheladini: Po, do të mbahet çdo vit, por me një sistem pak më ndryshe. Do të ketë shtëpi botuese nga Kosova dhe nga Shqipëria, si dhe do të përfaqësohen me gjuhët e tyre komunitet që jetojnë në këtë rrethinë, nga Spanja, Portugalia dhe Italia.

Albinfo.ch: Sa shqiptarë kanë marrë pjesë në këtë edicion, sa botues, sa shkrimtarë?

Ilir Xheladini: Aktualisht jemi 3 autorë shqiptarë: unë, Bes Camaj dhe Shemsi Makolli. Ndryshe të gjithë të tjerët janë francezë, italianë dhe zviceranë. Aktualisht shtëpia jonë botuese ka të botuar 12 autorë zviceranë, unë jam i vetmi shqiptar. Shtëpia jonë botuese ka ilustrues zviceranë, por edhe nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët sublimojnë librat tanë. Emri i shtëpisë botuese rrjedh nga ndërthurja e teknologjisë me librin, pra « i » për internet dhe « lirë » (lexim në gjuhën frënge) i-liredition. Të gjitha librat e shtëpisë sonë botuese kanë një QR-kod, të cilin, sapo e skanojmë mund ta dëgjojmë audio tregimin, sidomos librat për fëmijë”, përfundon Ilir Xheladini.

Ky edicion në bazë të përshtypjeve të autorëve të pranishëm dhe vizitorëve që vinin duarthatë, por ktheheshin me libra e buzëqeshje rezultoi të ketë sukses, duke uruar për mbajtjen e edicionit të dytë.

Ngjarje të tilla të pazakonta përveç si nevojë për ndryshim, si për librin, për turizmin apo për teknologjitë e tjera që lidhen me mënyrën e të lexuarit janë edhe një vlerë e shtuar për kulturën shqiptare në mërgim.

Dita-ditës shqiptarët po integrohen në çdo fushë të jetës dhe kjo është për t’u përshëndetur. Shpresojmë që ngjarje të tilla të vijnë duke u shtuar nga të gjithë shqiptarët dhe grupet që ata krijojnë kudo në botë.

Lexo bukur, lexo shqip!

(Autore: Zamira Bytyqi)