Lajme

Pamje mahnitëse të Tokës sjell konkursi i fotove dhe videove

Së fundmi, fotografë dhe operatorë pamjesh filmike me dron nga e mbarë bota dorëzuan më shumë se 65 mijë punime të tyre në një konkurs vjetor online, të organizuar nga kompania e njohur e prodhimit të dronëve “DJI” dhe platforma online e fotove dhe videove me dron “SkyPixel”, përcjell albinfo.ch.

VIDEO – https://www.zeriamerikes.com/a/7256951.html?utm_medium=affiliate&utm_campaign=VOA-player7256951&utm_source=www.gazetaexpress.com/&utm_content=player

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh, u hodhi një vështrim disa prej fotove a pamjeve fituese.

Fotografitë dhe filmimet e realizuara me dron na japin imazhe të rralla në disa nga zonat më të largëta të tokës… na afrojnë me kafshët e egra… dhe sjellin pamje magjepsëse të disa prej vendeve më ikonike në botë.

Këto imazhe mbresëlënëse ishin pjesë e një konkursi të fundit të videove dhe fotografive me dron që u organizua nga DJI, një kompani e njohur e prodhimit të dronëve; dhe SkyPixel, një nga platformat më të njohura në internet për fotografi dhe video të realizuara me dron.

“Konkursi u krijua që të thyhen të gjithë kufijtë e asaj që mund të realizohen me dron”, thotë Arianne Burrell nga kompania DJI.

Gjatë viteve të fundit dronët që përdoren për krijimin e veprave artistike kanë përparuar shumë.

“Ka kaluar nga te apasionuarit pas dronëve, tek fotografët, regjisorët profesionistë dhe njerëzit që janë të dhënë pas teknologjisë”, thotë zonja Burrell.

Një prej tyre është David Zalka, një operator profesionist, një nga konkurrentët fitues.

Ai xhiroi imazhet e vargmaleve të Dolomiteve në Itali, me një dron që mund të fluturojë me shpejtësi më të lartë dhe ka një gamë më të gjerë lëvizjesh krahasuar me dronët e zakonshëm.

“Nëse fluturoni një dron të tillë, ju vendosni syzet dhe kontrolloni gjithçka manualisht. Fluturoni i lirë, në çdo drejtim”, shpjegon ai.

Falë teknologjisë së dronëve, njerëzit në mbarë botën mund të shohin imazhe që mbase nuk do t’i shihnin kurrë gjatë jetës së tyre.