Kosova

Palmer: Kosovës duhet t’i hiqen vizat  

Në një prononcim për media, zëvendësndihmës Sekretari Shtetëror i SHBA-së për Evropë, Mathew Palmer, në kuadër të Konferencës së parë ndërkombëtare në Forumin e Prespës për dialog, në Ohër, ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave.

Palmer ka thënë se qytetarëve të Kosovës duhet t’u mundësohet lëvizja e lirë.

Ai përsëriti deklaratën ministrit gjerman për Punë të Jashtme, Heiko Mas, duke theksuar se BE-ja duhet të qëndrojë pas detyrimeve ndaj rajonit.

“Kjo përfshin edhe avancimin në bisedimet për anëtarësim në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe mundësimin e liberalizimit të vizave për Kosovën”, tha mes tjerash Palmer.

Palmer po ashtu foli edhe për rolin e SHBA-së në rajon, duke theksuar se vizioni i SHBA-së në rajon ka qenë dhe do të mbesë i përqendruar në një rajon me paqe ndërmjet fqinjëve, rajon të sigurt, me prosperitet dhe i integruar në kornizën euroatlantike.