Integrimi

Pak nxënës në shkollat shqipe

“Në Austri jetojnë rreth 16 mijë nxënës të regjistruar që shqipen e kanë gjuhë amtare, kurse mësimin e vijojnë rreth 2500 prej tyre.

Fundjavën e kaluar në lokalet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë u mbajt takimi i mësuesve shqiptarë në Austri. Nga Ambasada e Kosovës ishte z.Imer Lladrovci, konsull. Mësimdhënësit në Austri janë të shpërndarë në landet e Austrisë dhe pjesëmarrja e tyre në tubimet e rregullta të Shoqatës së Mësuesve dhe Prindërve është e vështirë. Kësaj radhe prezent ishin nga Vjena: Osman Ademi, Shefqet Gashi, Valbona Çepani, Dr.Ina Arapi e Hazir Mehmeti, nga Austria e Ulët: Milaim Zyrapi, Miradije Berisha dhe Ibrahim Hasani dhe nga  Staermaku Roza Ndrecaj. 
Tubimin e udhëhoqi mësuesi Osman Ademi, kryetar i shoqatës, ku tema kryesore ishte vijueshmëria e nxënësve në mësimin amtar. 

“Në Austri janë diku rreth 16 mijë nxënës të regjistruar me gjuhë shqipe si gjuhë amtare, kurse mësimin e vijojnë rreth 2500 prej tyre. Kur dihen kushtet shumë të mira që ofron Ministria e Mësimit e Austrisë, ky numër është shumë i ulët dhe shqetësues”, tha në fjalën hyrëse z. Ademi. 

Imer Lladrovci, konsull në Ambasadën e Kosovës, iniciator i takimit, u shpreh i gatshëm në çdo kohë për përkrahje të mësuesve dhe shoqatës së tyre për shtimin e aktiviteteve në shërbim të ngritjes së numrit të fëmijëve shqiptarë në mësimin e gjuhës shqipe. 

“Shkolla shqipe në diasporë është një institucion i rëndësishëm, të cilin duhet ta ruajmë dhe ta bëjmë të tillë që ta respektojnë edhe miqtë tanë që na kanë ndihmuar e na ndihmojnë në vazhdimësi, siç është në rastin tonë shteti austriak, i cili ka investuar për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët tanë. Duke mësuar gjuhën e respekton veten tënde, e nderon historinë e kulturën tënde dhe, në radhë të pare, gjuhën tënde. Ne shqiptarët patëm një histori të vështirë, gjuha jonë kishte të njëjtin fat, por ajo u rezistoi kohëve. Lufta për ruajtjen e gjuhës përmes shkollës shqipe është lufta më e madhe dhe lufta e vetme e shenjtë e diasporës sonë. Shërbimi ynë shpreh përkushtimin dhe angazhimin për të ndihmuar mbarëvajtjen e gjuhës shqipe në Austri”.  
   
 Nga diskutimet e mësimdhënësve doli deklarata e përbashkët për shtyp.
       a ) – Vijueshmëria e nxënësve shqiptarë është akoma jo e kënaqshme, përkundër kushteve të mira që ofron Ministria e Mësimit dhe Kulturës e Austrisë, nën mbikëqyrjen e së cilës zhvillohet mësimi i gjuhë amtare shqipe.
      b ) – Qëndrimi i prindërve nuk është në nivelin që kërkon gjithëpërfshirja e fëmijëve shqiptarë në mësimin e gjuhës amtare dhe kërkohet ndihmë nga të gjitha organizimet brenda mërgimtarëve në Austri për vetëdijesimin lidhur me rolin pozitiv të mësimit te fëmijët shqiptarë.  
     c ) – Përpjekja për ruajtjen e gjuhës përmes mësimit shqip është përpjekja më madhore dhe e shenjtë e diasporës.
    d ) – Kërkohet përkrahja nga Ministria e Arsimit, Ministria e Diasporës dhe Ministria e Kulturës në të gjitha format e mundshme për shtrirjen e gjithanshme të mësimit shqip në Austri, si masa më efikase në ruajtjen e identitetin kombëtar. 
     e ) – Kërkohet përkrahja nga mjetet e informimit, veçan ato publike RTK dhe TVSh, në plasimin e programeve të tyre informative, të aktiviteteve kulturore e organizative në diasporë, sensibilizimin e prindërve në interes të masivizimit të mësimit në gjuhën shqipe.  
      d ) – Të fuqizohet funksionimi i Shoqatës së Mësuesve dhe Prindërve Shqiptarë në Austri, duke shtuar aktivitetet në qendrat e tjera të Austrisë, si Linz, Graz, Salzburg etj. 
      f ) – Nxjerrja e një buletini dokumentar periodik nga puna e aktivitetet e të gjithë mësuesve të gjuhës shqipe në Austri. 
      g ) – Revistat dedikuar për nxënësit të botojnë shkrime nga puna dhe aktivitetet kulturore nga mësuesit në Austri. 
      h ) – Organizimi i mësimit shqip të mbetet larg ndikimeve të ndryshme nga jashtë dhe i bazuar në bazat ligjore vendëse dhe brenda planeve e programeve nga Ministria e Mësimit për Gjuhët Amtare të Austrisë dhe Kurrikulës për Mësimin Plotësues në Diasporë. 
     i ) – E mirëpresin dhe e falënderojnë Ministrinë e Mësimit, Artit dhe Kulturës – Departamentin për Gjuhët Amtare në Austri, për ndihmën e pakursyer në furnizim me tekste të nevojshme mësimore. 
     j ) – Shprehim kënaqësi e mirënjohje për aktivitetet e Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Diasporës në pajisje me tekste, në përkrahjen e projekteve mësimore e kulturore të mësuesve nga Austria. Shpresojmë se kjo do të thellohet e zgjerohet akoma në interes të ruajtjes së gjuhës e kulturës shqipe.