Lajme

Pagesa minimale që paguan secili për shërbime mjekësore në Zvicër do të rritet

Qeveria zvicerane është duke përgatitur një ndryshim që do të bëjë që pagesa minimale, të cilën të gjithë të rriturit duhet ta paguajnë vetë për vizitat mjekësore (para se të mbulohet nga sigurimi), të rritet gradualisht. Ky ndryshim nuk do të vlejë për fëmijët.

Ky propozim ishte bërë që në vitin 2019, por atëherë u kundërshtua dhe u hoq. Sot, disa parti politike besojnë se rritja është e nevojshme dhe duhet të zbatohet me kujdes, në mënyrë që të sigurohet një sistem i qëndrueshëm për disa vite, përcjell albinfo.ch.

Pse duan ta rrisin këtë pagesë?

Aktualisht, kjo pagesë minimale është 300 franga në vit dhe nuk është ndryshuar që nga viti 2004, ndërkohë që shpenzimet për kujdesin shëndetësor janë rritur ndjeshëm.

Mbështetësit e ndryshimit argumentojnë se kjo do t’i inkurajojë njerëzit të mendojnë më shumë para se të shkojnë te mjeku për çështje të vogla, veçanërisht nëse kanë zgjedhur një tarifë të ulët vetëpërgjegjësie.

Gjithashtu, ata theksojnë se ndryshimi nuk do të ndikojë ata që marrin ndihmë sociale apo ndihmë shtesë, pasi ata do të vazhdojnë të kenë mundësinë të kërkojnë rimbursim për shpenzimet e tyre mjekësore.

Kush është kundër?

Disa parti politike kundërshtojnë ndryshimin, duke argumentuar se ai do të rëndojë më shumë mbi ata që detyrohen të zgjedhin pagesën minimale për shkak të problemeve shëndetësore dhe vështirësive ekonomike, si të moshuarit dhe ata që vuajnë nga sëmundje kronike.

Ata theksojnë se, gjatë 20 viteve të fundit, çmimet e sigurimeve shëndetësore janë rritur ndjeshëm dhe kanë krijuar një barrë të madhe për familjet.

Ministrja e Shëndetësisë mbështet këtë ndryshim, por ka theksuar se ai duhet të zbatohet me kujdes dhe gradualisht, për të shmangur vështirësitë financiare për qytetarët. Ajo gjithashtu ka pranuar se shumë persona tashmë e shmangin vizitën te mjeku për shkak të kostove të larta, dhe ky faktor duhet të merret në konsideratë.

Tani i takon qeverisë të vendosë saktësisht se si do të zbatohet kjo rritje.