Shkurt.ch

Padi për politikanin e SVP-së që fyeu publikisht azilkërkuesit

Pasi i kishte quajtur azilkërkuesit palestinezë “fundrrina”, ish-deputeti nacional i SVP-së, Ulrich Schlüer, nga Flaach i Cyrihut do të përballet me drejtësinë për shkelje të mundshme të nenit kundër racizmit.

Një person privat ka ngritur padi ndaj politikanit të SVP-së për shkelje të ligjit mbi diskriminimin racor.

Pas padisë qëndron një zviceran me origjinë palestineze që ka jetuar këtu prej 30 vjetësh. Ai është kryetar i Federatës së organizatave ombrellë islame në Zvicër, bën të ditur “Tages anzeiger”.

Avokati David Gibor, përfaqësues ligjor i paditësit privat, tha se bëhet fjalë për një pamflet të plotë të Schlüersit, me plot deklarata raciste, duke poshtëruar dhe degraduar palestinezët.

Prokurori i Cyrihut, Hans Maurer, ka konfirmuar të martën për “Tages-anzeiger” procedura e ndjekjes penale.

Në artikullin e 19 korrikut, i cili ishte publikuar në faqen e internetit “Sifa” dhe të njëjtën e kishte përcjellë te mediat, politikani i SVP-së flet për një zënkë ndërmjet azilkërkuesve në lagjen e tij.

Schlüer në tekstin e tij kishte raportuar sesi disa azilkërkues palestinezë të dielën pasdite në lagjen e tij ishin përfshirë në rrahje, duke i krahasuar me “kafshët”. Ai gjithashtu i ka quajtur azilkërkuesit si “fundërrina” që duhet të deportohen menjëherë.