Integrimi

Pacolli zviceranëve: Në Kosovë do të gjeni fuqi punëtore të lirë

„Kosova mund të zëvendësojë fuqinë punëtore e cila në Zvicër po pakësohet ndërsa në Kosovë ajo është e lirë. Njëherësh atje do të instalohet edhe një mentalitet industrial”

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Bexhet Pacolli, duke folur si pjesë e diasporës, tha se kosovarët janë kthyer nga diaspora në vend, me biznese individuale, dhe në Kosovë nuk kanë gjetur asgjë tjetër vetëm kopjen e tyre.

Deri tash, sipas tij, komunikimi Diasporë-Kosovë nuk ka funksionuar për shkak se nuk ka funksionuar partneriteti afarist.
“Iniciativat që vijnë nga diaspora janë individuale dhe familjare që vetëm një kohë mund të jenë efektive, një restorant, një punëtori etj.”, tha numri dy i qeverisë së Kosovës, njëherësh biznesmeni i njohur kosovaro-zviceran.

Pacolli ka thënë se kompanitë që i menaxhon ai bashkë me familjen numërojnë mbi 2500 punëtorë dhe se ato më shumë mbështeten nga investimet nga Zvicra.

Zëvendëskryeministri Pacolli në një intervistë dhënë për “Albinfo.ch”, u bën thirrje zviceranëve të investojnë në Kosovë për shkak të fuqisë punëtore të lirë.

“Zviceranët me idetë dhe veprimtarinë e tyre janë gjithkund, në çdo sektor duke ofruar ndihmë të madhe për Kosovën. Deri tani ndihma ka qenë në formë grantesh, por tash duhet të përkthehet në interes të bizneseve dhe të ketë karakterin afarist dhe profitabil”, tha në këtë intervistë zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli.

“Ndërmarrësit shqiptarë në Zvicër kanë mundësi të njihen me partnerët zviceranë dhe t’u tregojnë fushat ku ata mund të investojnë në vendin tonë, në ato fusha ku ka fuqi punëtore intensive, ju e dini që Zvicra ka të zhvilluar industrinë precize si prodhimin e orëve, motorëve të aeroplanëve të ndryshëm, industrinë e automobilizmit etj.”, tha mes tjerash Pacolli

“Kosova në të ardhmen mund të zëvendësojë fuqinë punëtore e cila në Zvicër po mungon çdo ditë e më tepër dhe ardhmëria e këtyre industrive do të jetë në Kosovë, ku fuqia punëtore është e lirë ndërsa në anën tjetër do të instalohet një mentalitet industrial”, thekson Pacolli.

“Afaristët kosovarë duhet ta kuptojnë se Kosova sigurisht nuk ka qenë prej fillimit e përgatitur të respektojë me plot kuptimin e fjalës ardhjen e investitorëve nga jashtë. Kosovarët janë kthyer në vend në baza individuale si ndërmarrës, dhe në Kosovë nuk kanë gjetur asgjë tjetër, vetëm kopjen e tyre”, ka thënë Pacolli duke potencuar se mentaliteti i partneritetit ende nuk ekziston në Kosovë.

“Deri tani nuk ka funksionuar pikërisht për shkak se ka munguar partneriteti afarist ose i është sjellë vendit diçka që tashmë ekziston. Duhet t‘i ofrohet Kosovës diçka në ato fusha ku ka mungesë, në ato fusha ku ka nevojë për fuqi punëtore”, tha Pacolli duke i porositur afaristët kosovarë që të ndjekin rrugën e tij.

“Në Kosovë, kompanitë e mia kanë të punësuar mbi 2500 punëtorë dhe ato më shumë mbështeten në investimet nga Zvicra, për arsye se asnjëra prej tyre nuk është kompani e cilat vetë mbahet vetëm për shkak të fuqisë blerëse në Kosovë. Përveç disave që prodhojnë produkte për eksport, të tjerat duhet të mbështeten financiarisht nga Zvicra. Këtë mund ta aplikojnë edhe të tjerët duke krijuar një partneritet të vërtetë sidomos në ata sektorë ku mund të përfshihet fuqia punëtore dinamike e Kosovës”, thekson Pacolli.

“Çdo biznes ka ardhmëri nëse interesi i dy partnerëve është i njëjtë”, thekson Pacolli.

“Iniciativat që vijnë nga diaspora janë individuale dhe familjare që mund të jenë efektive vetëm një kohë, një restorant, një punëtori etj. Në Kosovë duhet të vetëdijesohen se sinqeriteti në partneritet është i shenjtë. Pra, jo vetëm të shfrytëzoni dikë deri sa të vini deri te përfitimi por edhe fitimin ta ndani me të tjerët. Partneriteti duhet të funksionojë edhe në raport me zviceranët. Një partner afarist në Kosovë duhet të jetë i sinqertë me partnerin e tij në Zvicër”, tha Behgjet Pacolli.

Sevdail TAHIRI