Kosova

Pacolli: Presioni i Beogradit ndaj Malit të Zi tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar pas situatës e cila u krijua në lidhje me mosmarrjen pjesë të trajnerit të kombëtares së Malit të Zi dhe dy lojtarëve të tij në ndeshjen që u zhvillua mbrëmjen e kaluar në Podgoricë mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Me anë të një postimi, Pacolli ka shkruar se është duke ndjekur me shqetësim situatën në lidhje me ndeshjen e futbollit.

Ai madje tha se presioni ndaj trajnerit the lojtarëve nga ana e Serbisë tregon vetëm fytyrën e vërtetë të kësaj të fundit.

“Po ndjek me shqetësim situatën në lidhje me ndeshjen e futbollit midis Kosovës dhe Malit të Zi. Mali i Zi është mik dhe partner i Kosovës. Serbia nuk do ta pengojë këtë miqësi. Presioni ndaj trajnerit dhe ndaj disa lojtarëve nga Beogradi dhe mediat serbe e tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë për të ndërhyrë në vendet fqinje. Kosova dhe Mali i Zi do t’i kapërcejnë këto pengesa nga Beogradi dhe të dyja vendet tona njohin taktikat e Serbisë.  Sytë i kemi tek djemtë tanë sonte në Malin e Zi dhe ju urojmë atyre fitore”, ka shkruar Pacolli.