Bota

Sllovaki: Pacolli u tregon ministrave për aksionin në veri të Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka marrë pjesë në takimin e ministrave të V4 dhe Ballkanit perëndimor që po zhvillohet në Bratisllavë të Sllovakisë.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka thënë se i njoftoi ministrat për aksionin e sotëm në veri të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

“I informova ministrat e jashtëm të rajonit dhe përfaqësuesit e BE-së për aksionin kundër krimit të organizuar në veri të Mitrovicës, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës, ku u arrestuan një numër i madh i të përfshirëve në krim të organizuar dhe kontrabandë, duke përfshirë një numër të madh të zyrtarëve policorë”, ka shkruar Pacolli.

Tutje, ai ka thënë se ky aksion nuk ka pasur për qëllim të sulomjë ndonjë komunitet në Kosovë, e këtë ka thënë se ia ka përcjellë edhe ministrit serb, Ivica Daciq.

“Ky operacion nuk ka pasur qëllim të sulmojë ndonjë komunitet specifik të qytetarëve të Kosovës, fqinjët tanë nga Serbia po vazhdojnë t’i japin karakter etnik, duke i politizuar përpjekjet tona për fuqizimin e sundimit të ligjit. Makineria propagandistike serbe e orkestruar nga Vuçiç dhe Daçiq po përpiqen të krijojnë histeri dhe frikë përmes fake news, me qëllim të krijimit të tensioneve dhe destabilizimit dhe këtë ia thashë edhe ministrit serb Dacic. Ne i njohim lojërat e Beogradit. Serbia e pengoi bashkëpunimin rajonal duke orkestruar shfaqje të ndryshme që treguan fytyrën e vërtetë të Beogradit”, ka shtuar ai.