Kosova

Pacolli merr mbështetje nga shteti afrikan për anëtarësimin e Kosovës në Interpol

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka marrë mbështetje nga ana e Kryediplomatit të shtetit afrikan Burkina Faso-s, Alpha Barry për anëtarësimin e Kosovës në Organizata Ndërkombëtare, respektivisht në Interpol dhe Frankofoni.

“Ministri Barry, pjesë e një Qeverie të re, kërkoi informacione prej meje për ecurinë e dialogut dhe më garantoi se mbështetja e Burkina Faso-s për Kosovën në Organizatat Ndërkombëtare, atë të Frankofonisë dhe në Interpol do të vazhdonte. E ftova të vizitonte Kosovën, ftesë që u pranua me kënaqësi nga homologu im”, ka thënë Ministri i Jashtëm Pacolli, njofton zyra për media e MPJ-së.

Këto deklarata erdhën pas një takimi që Pacolli dhe Barry zhvilluan në margjinën e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Ai ka theksuar se “është impresionuese të ndjesh seriozitetin dhe ndershmërinë me të cilën e trajtojnë Kosovën disa vende afrikane, të cilat gjatë kësaj periudhe të fundit kanë qenë nën presionin, lajkat, manipulimet e Serbisë për të tërhequr njohjen e Kosovës”.

“E falënderova nga zemra Ministrin e Jashtëm të Burkina Faso-s, Alpha Barry, vend i cili na njohu në një moment shumë të rëndësishëm për Kosovën. Burkina Faso nuk është dorëzuar para presionit të ministrit Daçiç, i cili e ka vizituar para do kohësh vendin e tij”, është shprehur Ministri Pacolli.