Kosova

Pacolli kritikon Kurtin dhe Sveçlën

 Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, është lajmëruar përmes një statusi në Facebook, të cilin e ka bërë nga Shqipëria.

Ai duke komentuar zhvillimet e fundit rreth kthimit të tij nga Zvicra, ka kritikuar qasjen e kryeministrin në detyrë, Albin Kurtit dhe ushtruesit të detyrës së MPB-së, Xhelal Sveçla.

“Ç’është ky Xhelali, sinonim i xhandarit personal të kryeministrit në letërsinë komuniste, që shkel ligj dhe kushtetutë e që më kërcënoka mua, ndërsa jam duke përkryer projektin e rindërtimit të Thumanës nga tërmeti, në banesën time?”, ka shkruar Pacolli.

Pacolli i është drejtuar Kurtit, duke i thënë që qeverinë e tij e ka votuar, pa kërkuar asgjë në këmbim.

“Pse zotëri Kurti? Ju kam pritur në shtëpinë time, ju kam hapur dyert, zemrën dhe gjithçka sipas traditës së shqiptarit. A nuk kam qenë nikoqir i mirë? A nuk e kam votuar përkundër presioneve, qeverinë tuaj me shpresën për ndryshim? Por, ju thashë: kujdes, historia nuk fillon me ju! Nuk kam kërkuar kurrgjë; por në vend të mirënjohjes, nuk kam pritur këto sulme të egra që më kujtojnë Shqipërinë e viteve 70, regjimin njëpartiak”.