Kosova

Pacolli fton që draftrezoluta të votohen më shpejt në Kuvend

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se procesit dialogues të Kosovës, i është hapur rrugë fuqizuese me nxjerrjen e rezolutës së fundit për bisedimet me Serbinë.

Pacolli ka thënë se përmbajtja e rezolutës krijon mundësi për një strukturë përfaqësuese konsensuale, në përbërje të gjithë spektrit politik shumicë, përcjell albinfo.ch.

“Eliminimi i mundësisë së krijimit të një shkalle të ndërmjetme të pushtetit, dhe i mundësisë së prekjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës, pozicionon Kosovën në çfarëdo formati dhe konteksti dialogues. Është koha të projektojmë energji të re, dhe nga debati i brendshëm rreth dialogut, të dalim më të fuqishëm se kurdoherë”, ka shkruar ai.

Pacolli u ka bërë thirrje partive për aprovim më të shpejtë të kësaj rezolute duke thënë se nuk ka kohë të humbet.

“Me nxjerrje të rezolutës, partitë hezituese në lidhje me dialogun dhe debatin rreth tij, arrijnë synimin e përbashkët, pozicionimin e Kuvendit si epiqendër e filtrimit dhe aprovimit të Marrëveshjes ligjërisht e ndërkombëtarisht obligative”, përfundon shkrimin Pacolli.