albinfo.ch
Integrimi
Pa integrim në punë, nuk ka integrim në shoqërinë zvicerane
Konferenca vjetore e Komisionit Federal për Migracion (EKM/CFM) që u mbajt javën e kaluar në Bernë, iu kushtua problemit të mjedisit të ndryshuar zviceran të punës në raport me të huajt
Procesi i suksesshëm i integrimit të të huajve gjasat më të mëdha për të ndodhur i ka në vendin e punës. Lidhja e marrëdhënies së punës për një person me prejardhje të huaj është çelësi i integrimit të tij në vendin pritës. Në Zvicër, një vend që identifikohet mbi të gjitha me punën, integrimi ose mosintegrimi përplasen në të shumtën në fushën e punësimit.
Problemit të mjedisit të ndryshuar të punës në raport me të huajt, iu kushtua edhe konferenca vjetore e Komisionit Federal për Migracion (EKM/CFM) që u mbajt javën e kaluar në Bernë.
“Shoqëria e migrimit dhe mjedisi i punës në transformim” ishte tema bosht e konferencës, në të cilën ekspertë të fushës, aktivistë dhe emigrantë, prezantuan por edhe ballafaquan qëndrimet, njohuritë dhe përvojat e tyre në përkim me punën dhe migrimin.
Në tri tryeza debati të shpërndara përgjatë konferencës tërëditore, janë rrahur problemet që lidhen me punën dhe migrimin, të shikuara nga aspekte të ndryshme. Në panelin e parë kanë debatuar shkrimtarja zvicerane me prejardhje nga Vojvodina (ish Jugosllavi) Melinda Nadj Abonji, shefi i kompanisë Fraisa SA, Josef Maushart dhe Tobias Müller, profesori universitar i ekonomisë. Temë e ngushtë e debatit të tyre ishte transformimi i mjedisit të punës dhe përgjegjësia e punëdhënësve.
Abonji ka përfaqësuar qëndrimin sipas të cilit kërkuesit e punës që kanë mbiemra “ekzotikë” janë që në fillim viktima të diskriminimit. Ajo ka përkujtuar se këtë realitet e njeh nga përvoja e saj personale. Nadj-Abonji ka kërkuar nga shoqëria në përgjithësi dhe nga punëdhënësit në veçanti që të huajt t`i shikojnë në mënyrë objektive dhe pa paragjykime. Vetëm kështu ata paraqesin pasurim dhe jo ngarkesë për shoqërinë të cilës i janë bashkuar.
Dy panelistët tjerë kanë folur për mundësitë që kanë krijuar në meset prej nga vijnë, për trajtimin e barabartë të punëmarrësve me prejardhje të huaj. Këtu ata kanë identifikuar edhe kufizimet që paraqiten në praktikë sa i përket çrrënjosjes së diskriminimit të të huajve në punë.
Përkatësia fetare si pengesë për integrimin, fakt apo paragjykim?
Në panelin e dytë, qëndrimet e tyre i kanë ballafaquar dr. Maike Burda nga Qendra Shkencore në Berlin dhe dr. Kijan Espahangizi nga Qendra për Historinë e Shkencës në ETH Cyrih.
Para kësaj. Maike Burda kishte prezantuar rezultatet e një studimi mbi shkallën e integrimit të gruas me prejardhje myslimane në gjashtë vende të ndryshme të BE-së. Në këtë kuadër ajo ka raportuar lidhur me pengesat e ndryshme që kanë gratë e besimit mysliman për të qenë pjesë integrale e shoqërisë në vendet përkatëse. Në studimin në fjalë, gratë myslimane janë ndarë në katër grupe sipas prejardhjes regjionale dhe kombëtare. Gratë e vendeve të ish Jugosllavisë përbënin një grup, ndërsa grupet tjera përbëheshin nga gratë e arealit arab dhe ai turk.
Sipas gjetjeve të këtij studimi, të shpalosura para publikut të kësaj konference, gratë myslimane vuajnë edhe më shumë se burrat myslimanë, pasojat e dallimeve kulturore që kanë vendet e tyre të prejardhjes në krahasim me vendet pritëse. Kjo në radhë të parë për faktin se gratë në shoqëritë myslimane janë në përgjithësi më të izoluara se ato në vendet perëndimore që kanë qenë subjekt i studimit në fjalë.
Pikërisht gjetjet e këtij studimi dhe arsyetimi që dr. Burda u ka bërë atyre, janë shndërruar në objekt kontestimi të ashpër nga dr. Esphangizi. Ai në debatin që në momente edhe tensionohej, ka hedhur poshtë shumë nga konstatimet e studimit në fjalë dhe referatit që lidhur me të e kishte mbajtur dr. Burda. Sipas dr. Espahangizi, vetë qasja e temës mbi gratë myslimane është diskriminuese. Ato janë të paintegruara ose të integruara, jo pse janë myslimane por për faktin se u takojnë shtresave sociale të caktuara, të paprivilegjuara që në vendet e prejardhjes. Gratë nga këto shtresa edhe po të ishin me prejardhje nga shoqëri të krishtera do të kishin po këtë status në rast emigrimi në shtetet e zhvilluara të BE-së.
Ku mbaron integrimi e ku fillon asimilimi
Espahangizi ka folur më tutje për atë se sipas tij, shoqëria zvicerane si e tërë dhe jo vetëm qarqet djathtiste konservatore ka qëndrim diskriminues kundrejt të huajve. “Në thelb, Zvicra nuk ka hequr dorë asnjëherë nga synimi asimilues ndaj të huajve, edhe pse së paku që nga vitet `90 të shekullit të kaluar politika e asimilimit zyrtarisht është braktisur duke i lënë vend asaj të integrimit”. Studiuesi nga Cyrihu ka elaboruar një varg situatash dhe dokumentesh në mbështetje të tezës së përmendur.
Në panelin e tretë dhe të fundit të konferencës vjetore të EKM-së kanë marrë pjesë gjashtë persona me prejardhje të huaj, të cilët kanë kaluar shkallët e integrimit dhe janë gjetur mirë në tregun e punës. Ata kanë evokuar fillimet e tyre në Zvicër, peripecitë që kanë pasur deri sa janë pranuar si pjesë e shoqërisë etj. Por, po ashtu kanë theksuar se, ndonëse diskriminim të hapur nuk ndjejnë, vazhdojnë paragjykimet ndaj tyre, bazuar në ngjyrën e lëkurës apo në mbiemrin që “tingëllon çuditshëm”.
Në këtë panel ka marrë pjesë edhe inxhinieri shqiptar nga Lozana, Mentor Ilazi, si përfaqësues i Shoqatës së Inxhinierëve Shqiptarë të Zvicrës. Ilazi ka bërë fjalë rreth rrugës së shkollimit dhe avancimit të tij deri në pozicionin që mban tash. Ai nuk ka përjetuar diskriminim por rruga e tij deri në këtë stad sigurisht ka qenë më e ndërlikuar se e një zvicerani “autokton”. Më tutje Mentor Ilazi ka folur edhe për shoqatën, në kryesinë e së cilës bën pjesë. Puna e shoqatës, sipas tij, nuk duhet të kuptohet si tendencë getoizimi pasi që ajo nuk përjashton që anëtarë të saj të jenë edhe inxhinierë jo shqiptarë.
Në konferencë janë prekur në mënyrë të thelluar problemet që lidhen me qasjen e migrantëve në mjedisin e punës. Një problem i tillë është edhe evoluimi i tregut të punës, i cili gjithnjë më pak kërkon fuqi të pakualifikuar punëtore, ndërkohë që të huajt në numër më të madh se vendësit i takojnë kësaj kategorie punëtorësh. Rrjedhimisht, kjo rrethanë është një barrierë plus në përpjekjet për integrim të të huajve në Zvicër.
E-Diaspora
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
Jeta në Zvicër
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch