Kosova

OVL-UÇK e cilëson si politik vendimin për dënimin e Pjetër Shalës

Pas dënimit me 18 vjet burgim të ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, nga Gjykata Speciale, ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit, Faton Klinaku, thotë se edhe këtë herë Dhomat e Specializuara nxorën një vendim politik.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka luftuar kundër pushtuesit serb dhe për lirinë e popullit. Gjykata Speciale në Hagë në emër të popullit dënon luftëtarët e UÇK-së, por duke u bazuar në dëshmi të pushtuesit serb e me dëshmi të dëshmitarëve të fshehur nga populli. Ashtu sikur në aktgjykimet e kaluara, edhe në rastin e bashkëluftëtarit Pjetër Shala, Gjykata Speciale aktgjykimet i merr politikisht”, thuhet në reagimin e tij.