Kosova

OVL e UÇK-së: Të mos bashkëpunohet me Gjykatën Speciale

Organizata e Veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thotë se është kundër marrjes në biseda informative të luftëtarëve të UÇK-së me status të padefinuar nga ana e Prokurorisë Speciale.

OVL thotë se vazhdimisht ka kundërshtuar krijimin e Gjykatës Speciale dhe e konsideron atë si një gjykatë diskriminuese që gjykon vetëm shqiptarët, por jo edhe kriminelët serbë që kryen krime në Kosovë.

“Duke pasur parasysh këtë përvojë të hidhur nga e kaluara, e cila fatkeqësisht po përsëritet edhe tani, Organizata e Veteranëve të UÇK-së u bën thirrje të gjithë të ftuarve nga Gjykata Speciale të mos pranojnë të bashkëpunojnë me Prokurorinë Speciale, pra të mos japin deklarata pranë saj, e cila nuk ka prova, por përmes këtyre bisedave informative po synon t’i nxjerrë ato për t’i dënuar luftëtarët e UÇK-së”, theksohet në thirrjen e kësaj organizate.