Kosova

Osmani vlerëson rolin e diasporës në zhvillimin ekonomik

Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim kryetarin e zyrës së Unionit të Bizneseve shqiptaro-gjermane në Kosovë, Nazmi Viqa, me të cilin ka diskutuar mbi forcimin e bashkëpunimit reciprok, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit tonë dhe ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.

Osmani e uroi Viqan për hapjen e zyrës në Kosovë dhe e falënderoi për kontributin e Unionit, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe atë humanitar. Po ashtu, ajo e vlerësoi lart rolin e diasporës në zhvillimin ekonomik të vendit dhe rëndësinë e Unionit në aspektin e investimeve të jashtme dhe eksportit të produkteve nga Kosova në tregun evropian.

Ndërsa, kryetari Viqa e njoftoi presidenten Osmani me qëllimet dhe aktivitetet e Unionit, duke theksuar se investimet në Kosovë, mbështetja për kompanitë lokale dhe ndihma për komunitetin do të vazhdojnë të mbeten ndër objektivat kryesore të Unionit.

Për realizimin e këtyre objektivave, ai shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me të gjithë faktorët relevantë në Kosovë.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit reciprok midis Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane dhe institucioneve të Kosovës, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit tonë dhe ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.