Kosova

Osmani udhëton në Teksas të SHBA-së, merr pjesë në Samitin SHBA-Afrikë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Teksas të SHBA-së.

Gjatë vizitës në këtë shtet, Presidentja Osmani me ftesë të Qeverisë amerikane, respektivisht agjencisë qeveritare Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit- MCC, do të marrë pjesë në Samitin SHBA-Afrikë, në kuadër të të cilit do të mbajë fjalim si dhe pritet të zhvillojë takime me homologë nga disa vende afrikane.

Presidentja Osmani në Teksas do të zhvillojë takim edhe me krerët e shtetit të Teksasit, zyrtarë të tjerë të lartë të këtij shteti, zyrtarë të lartë shtetërorë të institucioneve amerikane dhe përfaqësues të Kongresit amerikan.

Në agjendën e Presidentes Osmani është edhe pjesëmarrja dhe adresimi në ceremoninë për nder të 20-vjetorit të aktivitetit të MCC-së, me ç’rast Presidentja do të shpreh mirënjohje për kontributin të cilin e ka dhënë kjo organizatë për mbështetjen e Kosovës në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe sektorit të energjisë, sikurse është rasti i Programit Kompakt në vlerë prej 236 milionë dollarësh, lansimi i të cilit u bë ditë më parë.

Tutje, Presidentja Osmani do të mirëpritet edhe nga Garda Kombëtare e Teksasit, ku do të takohet edhe me ushtarakë, të cilët kanë shërbyer në Kosovë. Presidentja Osmani në agjendë do të ketë edhe një ligjëratë në World Affairs Council, në të cilin do të realizojë një bashkëbisedë për Kosovën dhe rrugëtimin e saj ndër vite në drejtim të integrimit në institucione dhe organizata ndërkombëtare.

Në programin e vizitës së Presidentes Osmani në Teksas janë paraparë edhe vizita në disa qytete të Teksasit.

Gjatë qëndrimit në Teksas, Presidentja Osmani do të shoqërohet edhe nga një delegacion i bizneseve i udhëhequr nga Oda Ekonomike Amerikane. Këto biznese do ta kenë një tryezë të përbashkët me bizneset amerikane për t`i shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit, por edhe takimet të tjera me zyrtarë amerikane në fushën e ekonomisë dhe tregtisë.

Presidentja Osmani, gjatë vizitës në Teksas do të takohet edhe me mërgatën shqiptare në Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane, njofton zyra e presidentes.