Kosova

Osmani për CNN: Plani serb ishte aneksimi i veriut, i ngjashëm me atë të Krimesë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Christiane Amanpor në CNN ka folur për planin serb për aneksimin e veriut të Kosovës. Ajo tha se akti i agresionit serb ishte i planifikuar, plan i ngjashëm me atë të Krimesë, për aneksimin e veriut.

“Akti i qartë i agresionit serb në Kosovë ishte i planifikuar nga aparati shtetëror i Serbisë dhe i realizuar nga grupet paramilitare e terroriste. Ky plan ishte i planifikuar mirë, i strukturuar me kujdes dhe i përpiluar me idenë e qartë të realizimit të një plani të ngjashëm me atë të Krimesë për aneksimin e veriut të Kosovës. Ky plan vazhdoi me vendosjen e trupave në vijën kufitare me Kosovën, jo vetëm në veri, por edhe në pikat e tjera kufitare, me qëllim të eskalimit të situatës. Por, njëkohësisht, qëllimi i Serbisë është të vazhdojë me planin e destabilizimit të Ballkanin Perëndimor, si dhe për t’i mundësuar Putinit të hapë një front të ri kundër Perëndimit, përmes Ballkanit Perëndimor”, tha presidentja Osmani.

Duke folur për dëshmitë e ofruara nga institucionet e Kosovës, Osmani tha se çdo dëshmi tregon lidhjen direkte të shtetit serb me atë që ndodhi në veri të vendit. “Vuçiqi do të vazhdojë ta përdorë narrativën e Millosheviqit”, theksoi Osmani, derisa shtoi se kërkesë e Kosovës është që Radojiçiqi të dorëzohet te autoritetet e Kosovës.