Kosova

Osmani e ballafaqon Vuçiqin me gratë e dhunuara seksualisht dhe të mbijetuarat e luftës

Seanca e sotme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku diskutohej për Kosovën, ka nisur me vonesë. Në sallë mungonte delegacioni i Kosovës, i prirë nga presidentja Vjosa Osmani. Kjo e fundit raportohet se refuzonte të hynte në sallë pasi nuk po lejohej që bashkë me të të futeshin edhe 4 gra që e shoqëronin atë, Vasfije Krasniqi e Shyhrete Tahiri – të mbijetuara të dhunës seksuale, Fahrije Hoti-familjare e të zhdukurve, Elhame Muçolli- e mbijetuar e masakrës së Poklekut. Osmani u fut vetëm pasi u lejuan edhe gratë e apostrofuara.

Ndërsa kjo shkaktoi nervozë tek presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se ato nuk janë pjesë e stafit diplomatik, dhe pse është diskutuar për të kaluarën, sidomos për kohën e luftës, duke pretenduar se në kohën e luftës ka pasur edhe gra serbe të dhunuara seksualisht në Kosovë.

Por Osmani e ballafaqoi me të kaluarën.

“Viktimat e atij regjimi, Vuçiq, janë këtu, merr pak kohë, kërko falje. Tregoju të gjithë nëse ke një shenjë të humanitetit që ka mbetur në ty”, ka thënë Osmani.