Kosova

Osmani dekoron me Medaljen Presidenciale të Meritave, politikanin gjerman Michael Roth

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sonte në Berlin Michael Roth me Medaljen Presidenciale të Meritave.

Kjo medalje iu dha kryetarit aktual të Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman dhe ish-ministrit me motivacionin “si një mbrojtës i palëkundur i së ardhmes së Kosovës në BE dhe një zë që ka pasqyruar vazhdimisht aspiratat e saj në skenën ndërkombëtare”, transmeton albinfo.ch.

“Sonte në Berlin dekorova Michael Roth me Medaljen Presidenciale të Meritave—një simbol mirënjohjeje nga populli i Kosovës.

Suksesi i Kosovës ka qenë gjithmonë më i fortë falë miqve që qëndrojnë pranë nesh—atyre që besojnë në demokraci, liri dhe në vendin tonë të merituar në familjen evropiane. Për mbrojtje të këtyre vlerave, Michael Roth ka punuar përgjatë 27 viteve të angazhimit të tij politik”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes Osmani.