Kosova

Osmani: Autostrada e Anamoravës do të bëhet

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka qëndruar për vizitë në Gjilan.

Ajo është takuar me kreun komunal Lutfi Haziri, të cilit i ka shprehur ngushëllime për rastin tragjik të vrasjes së pesë anëtarëve të familjes Bllaca.

 

 

Më pas, Osmani në një fjalim në Kuvendin Komunal, ka thënë se është e vendosur që ta krijojë një hallkë mirëbesimi e bashkëpunimi ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, në mënyrë që të identifikohen dhe realizohen projektet të cilat janë jetike për qytetarët gjithandej Kosovës.

“Ne jemi në dijeni për vështirësitë me të cilat përballeni ju, duke nisur nga uji i pijshëm. Por, ne kemi krijuar institucione të cilat do të dinë të kujdesen për qytetarët e vendit të vet dhe do të merren me zgjidhjen e problemeve akute të tyre. Ne kemi krijuar institucione të cilat u sigurojnë atyre investime, por u sigurojnë atyre transparencë dhe llogaridhënie për secilin cent të shpenzuar. Prandaj, ne do të vazhdojmë të realizojmë projekte kapitale për qytetarët tanë, por do të sigurohemi se mjetet do të shpenzohen në mënyrë racionale dhe transparente”, ka thënë Osmani para kuvendarëve të Gjilanit.

Ajo ka thënë se projekti i autostradës së Anamoravës do të realizohet.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë që rajoni i Anamoravës ta ketë autostradën, por nuk mund të lejojmë që, në emër të lidhjes së njerëzve me autostradë, t’i lidhim ata me zinxhirin e keqpërdorimit. Autostrada do të bëhet, por korrupsioni do të ndalet”, ka thënë Osmani.

Zonja Osmani e ka mbështetur idenë e kreut të Gjilanit për një monument për nënat.

Ndërkaq duke folur për institucionin që përfaqëson, kryekuvendarja Osmani ka thënë se Kuvendi i Kosovës është shtëpia e të gjithëve.

“Vendi ku idetë tona të përbashkëta për Kosovë më të fortë e më prosperuese i qojmë përpara bashkë. Prandaj jam këtu për t`ua ofruar gjithë bashkëpunimin tim, komunës në përgjithësi, secilit veç e veç”, ka thënë Osmani.

Vizitën në Gjilan, kryekuvendarja Osmani e ka përfunduar me ngushëllimin në familjen Bllaca, në të cilën tri ditë më parë humbën jetën pesë anëtarë të saj, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch