Lajme

OSBE u bën thirrje mediave të mos i publikojnë emrat e të prekurve me koronavirus

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka shprehur shqetësim për publikimin e emrave të personave që dyshohet se janë urdhëruar të qëndrojnë në karantinë për shkak të situatës me koronavirus.

OSBE thotë se disa portale online kanë publikuar sot listë me emra, data të lindjes dhe komuna prej nga vijnë të dhjetëra banorëve, të cilëve thuhet se autoritetet komunale u kanë kërkuar të qëndrojnë në karantinë, njofton Klan Kosova.

“Ne përsërisim dhe nënvizojmë rekomandimet e fundit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) për të gjitha mediat rreth raportimit të tyre mbi situatën me COVID-19”, thuhet në reagim.

“KMSHK kërkoi nga mediat që të respektojnë privatësinë e pacientëve dhe në asnjë rrethanë të mos zbulojnë identitetin e të prekurve. Të dhënat personale të secilit individ janë të mbrojtura me ligj. Vetëm institucionet përgjegjëse mund të japin informacione të tilla dhe atë vetëm në rrethana specifike siç lejohet me ligj. Institucionet në Kosovë nuk zbulojnë të dhënat personale të personave të prekur me COVID dhe as mediat nuk duhet ta bëjnë këtë. Situata me COVID-19 kërkon solidaritet dhe bashkëpunim në të gjithë shoqërinë, si dhe midis autoriteteve në rajon. Ne u bëjmë thirrje portaleve në fjalë që të largojnë këto lista dhe që të tjerët të mos i shpërndajnë më tej”, përcjell Albinfo.ch.