Lajme

Orë letrare në Ambasadën e Kosovës në Vjenë

16 shkurt 2023.

Vjena ishte dhe vazhdon të jetë qendër e rëndësishme kulturore për shqiptarët jashtë trojeve të tyre etnike. Ajo gjithmonë ka qenë një hap më përpara metropoleve të tjera evropiane dhe ka ofruar një mundësi më tepër që gjuha shqipe t’i flasë botës përmes artit të shkruar, i cili i tejkalon kufijtë fizikë mes shteteve e kombeve, duke u shndërruar në një gjuhë universale, e cila e bën njerëzimin më human.

Ashtu si dhe viteve të mëparshme, edhe kësaj radhe komuniteti shqiptar në Austri pati rastin që të shijojë tingullin e bukur të gjuhës shqipe përmes vargjeve. Kjo pasi që në kuadër të shënimit të 15- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” mbajti një orë letrare në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Vjenë. Në fillim të këtij aktiviteti, kryetari i saj, Anton Marku, duke iu dëshiruar mirëseardhje të pranishmëve, ndër të tjera theksoi se qëllimi kryesor i kësaj shoqate është prezantimi i kulturës shqiptare në mërgim, me fokus në letërsi. Më pas, në fjalën e tij, Ambasadori i Shqipërisë në Vjenë, Roland Bimo, theksoi rolin e pazëvendësueshëm të të gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë dhe shtetin e Kosovës, i cili, falë tyre, sot është i lirë dhe i pavarur. Edhe nikoqiri i këtij aktiviteti, Ambasadori i Kosovës në Vjenë, Lulzim Pllana, uroi për këtë ditë të shenjtë për shtetin më të ri në Evropë.

Pjesa artistike ishte e ndarë në dy pjesë përgjatë të cilave krijuese dhe krijues lexuan tekstet e tyre. të cilat kryesisht i kushtoheshin jetës, atdheut dhe dashurisë. I pari para publikut doli shkrimtari i mirënjohur shkodarn Gjergj Jozef Kola, i cili lexoi në fragment nga romani i tij më i ri me titull ‘‘Treni në fillim të botës’’, për të vazhduar me Kimete Krasniqi – Preberzen me poezitë ‘‘Nuk u dorëzova në Jetë”; “Fluturo Dallëndyshe” dhe “Sot kemi festë”. Emocione të veçante në skenë solli një tjetër shkrimtare nga Malësia e Madhe e Mbishkodrës, Gabriela Mujaj, me vargjet në dialektin gegë nga poezitë e saj ‘‘Ka mot që s’jem pa”; ‘‘U vetmuen harabelat”; ‘‘Koha s’asht kurrgja” dhe ‘‘I dashtuni em zdrukthtar”. Më pas, karvanit të autorëve iu bashkua edhe krjuesi veteran Zaim Toska me poezitë ‘‘Në vend të huaj”; ‘‘Qytetit ku jetoj” dhe ‘‘Dëshmorëve”. I fundit lexoi Anton Komani dhe atë poezitë ‘‘Një natë vjeshte’’ dhe ‘‘Babai i pafuqishëm’’. Për pjesën muzikore u përkujdes Marigona Komani në violonçel ndërsa programin e udhëhoqi Kaltrina Durmishi.

Në këtë manifestim, përpos diplomatëve nga Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës, morën pjesë edhe udhëheqës dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqiptare, aktivistë, intelektualë dhe studentë.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri  “Aleksandër Moisiu” mbajti në dhjetor të vitit te kaluar kuvendin e tretë të saj dhe zgjodhi strukturat udhëheqëse duke bërë që pjesë e saj të bëhen emra të rinj, të cilët do të bartin peshën e organizimeve të tilla në të ardhmen.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm