Lajme

Ordinanca e Dr.Korab Krasniqit në Vjenë, shërbime edhe në gjuhën shqipe

Që nga prilli 2022 Dr. Korab Krasniqi ushtron profesionin në ordinancën e tij në qarkun (Bezirk) e 10-të të Vjenës, në rrugën Humboldtgasse 31, 1100 Wien. Aty ofrohen shërbime të mjekësisë familjare edhe në gjuhën shqipe, gjermane etj.

Vendimin për t’u bërë mjek e ka marrë gjatë luftës në Kosovë. Përjetimet e tij në bjeshkë, duke parë skenat e vuajtjeve, e kanë bindur të bëjë betimin e Hipokratit, duke e kthyer atë në qëllimin kryesor të jetës së tij: për të ndihmuar njerëzit. Të jesh mjek i mirë nuk mjafton vetëm dituria, por mbi të gjitha vlen të kuptosh vuajtjen.

Doktor Korabi, i biri i Mehremes dhe Arif Krasniqit, është lindur dhe rritur në komunën e Klinës, në një familje të madhe prej 10 fëmijësh. Në fund të viteve 90`, gjatë kulmit të luftës, familja e tij u dëbua nga shtëpia prej forcave serbe, duke përjetuar kështu mbi lëkurën e vet se ç`do të thotë vuajtja trupore, por dhe ajo shpirtërore.

Studimet e mjekësisë ai i ka nisur në Universitetin e Prishtinës, ku dhe ka studiuar për rreth 2 vjet. Më pas, në vitin 2005, ka vendosur të largohet nga Kosova në drejtim të Vjenës për t’iu përkushtuar pasionit të tij, mjekësisë. Në një moshë shumë të re dhe me pak mbështetje, fillimi ka qenë gjithçka tjetër, por jo i lehtë. Falë këmbënguljes, vullnetit dhe ëndrrës së tij për një të ardhme në shërbim të njerëzve, ai ka arritur të përfundojë kursin e gjuhës gjermane brenda 4 muajve e gjysmë, por edhe si autodidakt. Studimet në Fakultetin e Mjekësisë së Vjenës i ka kryer gjatë viteve 2006 deri 2012. Pas studimeve, duke pasur edhe probleme administrative për të qëndruar në Austri, Dr. Korabi ka arritur të fillojë një specializim si mjek asistent internist dhe reumatolog në ordinancën “Dr. Schwingenschlögl Thomas”, ku ka marrë dhe shumë njohuri në këto dy fusha. Më tej, ai i është përkushtuar për rreth tetë vjet profesionit si mjek urgjence dhe i mjekësisë së përgjithshme në një nga spitalet më të mëdha në Vjenë, “Donauspital”. Kjo përvojë e vyer i jep doktor Korabit cilësitë, ekspertizën, përvojën dhe ndjeshmërinë që i duhen një mjeku të kompletuar.

Në vitin 2022 ai ka vendosur të hapë ordinacionin e tij në Vjenë, ku dhe shihet krenaria, por mbi të gjitha dëshira e mirë për të qenë pranë komunitetit shqipfolës, duke i ofruar një mjekim në gjuhën e nënës, raporton albinfo.at.

Fuqia shëruese e komunikimit në gjuhën e nënës

Komunikimi midis mjekut dhe pacientit është hapi i parë në lidhje me njohjen e sëmundjes dhe mënyrës së trajtimit të saj. Baza e këtij komunikimi është në formën reciproke “besimi”. Pra, si mjeku, ashtu dhe pacienti duhet të kenë një racion të fortë besimi tek njëri-tjetri. Duke qenë se në Austri jetojnë shumë njerëz me prejardhje të ndryshme, shtrohet shpesh problemi i komunikimit nëpërmjet gjuhës. Vështirësia apo keqkuptimet që rezultojnë nga gjuha mund të sjellin probleme të mëdha si në diagnozë ashtu dhe në trajtim.

“Pra, fakti që mjeku dhe pacienti mund të komunikojnë në të njëjtën gjuhë ka përparësi dhe themele të forta pozitive duke nisur që nga besimi, diagnoza dhe trajtimi i duhur. Këtë e tregon dhe fakti që shumë sëmundje kanë karakter psikosomatik, pasi shumë pacientë kanë probleme të natyrave të ndryshme, por që nuk arrijnë t‘i komunikojnë këto saktësisht“, shpjegon Dr. Korabi për albinfo.at.

Në betimin e Hipokratit vlen një shprehje, të cilën na e thotë dhe ai vetë: “Çfarëdo që unë do të shoh ose dëgjoj gjatë profesionit tim, si dhe jashtë profesionit tim në raport me jetën e njerëzve, unë kurrë nuk do të zbuloj, duke mbajtur gjëra të tilla si sekrete dhe të shenjta”.

Disa këshilla të vlefshme

  1. Profilaksia: Apo dhe parandalimi është tërësia e masave që merren për ruajtjen e shëndetit, për parandalimin e shfaqjes dhe përhapjes së sëmundjeve tek njerëzit. Mundohuni të shkoni rregullisht tek mjeku, kontrollet vjetore të cilat i përmban sigurimi shëndetësor ju ndihmojnë t‘i kapni sëmundjet apo shqetësimet trupore që në filiz. Mos hezitoni të kontaktoni mjekun në çdo rast, pasi kjo parandalon në rast ideal sëmundjen apo lejon të ndërhyhet që në fillimin e simptomave duke lehtësuar masivisht shërimin.
  2. Rëndësia e çdo simptome: Mos keni ndrojtje të tregoni apo të flisni rreth çdo simptome. Edhe informacioni më i vogël si dhimbje barku, probleme me jashtëqitjen etj. Edhe pse mund t´ju duken të parëndësishme, ato mund të jenë vendimtare për mjekun në diagnozë dhe trajtim. Një diagnozë 100% e saktë sjell një mjekim 100% të sigurt.
  3. Mos merrni asnjëherë terapi pa konsultë me mjekun! Informacionet nga interneti, nga bisedat, nga shoqëria, familja apo të njohurit nuk e zëvendësojnë kurrë konsultën me mjekun. Përkundrazi, ato mund të sjellin shqetësime të tjera dhe në raste ekstreme probleme serioze të shëndetit. Çdo terapi dhe medikament përkatës janë individualë, pra mjeku merr parasysh të gjithë faktorët e sëmundjes para se të vendosë rreth mjekimit. Kjo do të thotë se medikamentet e dikujt tjetër janë efektive vetëm për këtë person. Pra, medikamentet e një pjesëtari të familjes vlejnë vetëm për të!
  4. Sëmundja nuk është dobësi: Asnjëherë mos e shihni një sëmundje si një dobësi. Një sëmundje është pjesë e jetës si të marrit frymë apo të ushqyerit. Të jesh sëmurë nuk është turp, por thjesht një nevojë e trupit për mbështetje të jashtme.
  5.  Fshehtësia dhe heshtja e mjekut: Mos harroni kurrë faktin që informacionet dhe të dhënat e pacientit janë sekret dhe mbrohen me ligj, pra mjeku është i detyruar si nga ana morale dhe ajo ligjore të heshtë, madje edhe para gjyqit, rreth çdo informacioni në lidhje me pacientët e tij. Çfarë flitet dhe ndodh gjatë konsultës mbetet brenda 4 mureve.

Dr. Korab Krasniqi është një fitim si për komunitetin e shqipfolësve, ashtu dhe e komunitetit të mjekëve në Austri.

Box 1

Ordinanca e re në Vjenë, edhe në SHQIP

Që nga prilli 2022 Dr. Korab Krasniqi ushtron profesionin tashmë në ordinancën e tij në qarkun (Bezirk) e 10-të të Vjenës, në rrugën Humboldtgasse 31, 1100 Wien. Aty ofrohen shërbime mjekësore në gjuhën shqipe, gjermane etj. Ambienti komod kompletohet nga personeli kompetent dhe shumë i sjellshëm.

Box 2

Shërbimet:

– Kontrolle dhe vizita vjetore

– Analiza gjaku, urine dhe fece

– Parapërgatitje për operacione

– Përcaktim i parametrave të gjakut

– EKG

– Terapi për dhimbje

– Kontrolle të librezës Nënë-Fëmijë

– Trajtim bashkëkohor

– Vizitë reumatologu

– Vizita shtëpie

– Vaksinim

 

P.s: Artikulli fillimisht është botuar në revistën albinfo.at